Shkruar nga Endri ÇINARI
Kalendari i Vllaznisë në kampionat hyn në një fazë vendimtare, ku dy javët e ardhshme mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në objektivin madhor të sezonit: titullin kampion. Skuadra shkodrane përballet me dy transferta radhazi, që konsiderohen ndër më delikatet e këtij edicioni.
Fillimisht, ekipi i drejtuar nga Edi Martini do të udhëtojë këtë fundjavë për t’u përballur me Vorën. Një kundërshtar që lufton për mbijetesë dhe që në këtë fazë të sezonit bëhet edhe më i rrezikshëm, pasi çdo pikë është jetike. Ndeshje të tilla historikisht kanë rezultuar të vështira për ekipet pretendente, për shkak të presionit dhe motivimit të lartë të skuadrave në fundtabelë.
Menjëherë pas kësaj sfide, Vllaznia do të ketë një tjetër test edhe më të fortë: përballjen direkte për kreun ndaj Elbasanit në transfertë. Ky duel pritet të ketë peshë të madhe në renditje, pasi përballen dy ekipe me objektiva të qarta për titullin dhe çdo rezultat mund të ndikojë ndjeshëm në garën për vendin e parë.
Këto dy ndeshje jashtë fushës së tyre e vendosin Vllazninë përballë një prove të rëndësishme karakteri. Shumëçka për ecurinë e sezonit të kuqebluve pritet të përcaktohet pikërisht larg “shtëpisë”, aty ku skuadra duhet të tregojë pjekuri dhe vazhdimësi në rezultate.
Performanca në transfertë ka qenë shpesh vendimtare për ekipet që synojnë titullin, dhe në këtë aspekt, shkodranët duhet të bëjnë një hap përpara. Nëse në “Loro Boriçi” kanë ndërtuar një bazë të fortë pikësh, tani kërkohet që i njëjti intensitet dhe përqendrim të shfaqet edhe në ndeshjet jashtë.
Për të dalë me rezultate pozitive nga këto dy transferta, Vllaznia duhet të japë më shumë se zakonisht, duke ruajtur balancën në lojë dhe duke shfrytëzuar maksimalisht rastet. Dy javët e ardhshme pritet të japin sinjale të qarta nëse kuqeblutë janë gati për hapin final drejt titullit


