Shkruar nga Endri ÇINARI
Bekim Balaj po kalon një nga periudhat më të vështira të sezonit sa i përket golit. Kapiteni i Vllaznisë nuk gjen rrugën e rrjetës prej 12 ndeshjesh radhazi mes kampionatit dhe Kupës, një statistikë që padyshim ka ngritur pikëpyetje në prag të fazës më vendimtare të sezonit. Megjithatë, pesha dhe rëndësia e shtatlartit në lojën e kuqebluve mbetet e padiskutueshme, sidomos në momentet kur skuadra ka më shumë nevojë për eksperiencën dhe karakterin e tij.
Pavarësisht “thatësirës” së gjatë para portës, Balaj arriti ta mbyllë sezonin e rregullt si një nga golashënuesit më të mirë të Superiores. Sulmuesi shkodran, së bashku me Kasallën, ndan kreun e renditjes së bomberëve me nga 13 gola secili, duke treguar se instinkti i tij për golin nuk është zhdukur. Në shumë raste gjatë këtij edicioni, pikërisht golat e 35-vjeçarit kanë mbajtur gjallë ëndrrën e Vllaznisë për të synuar titullin kampion.
Tashmë e gjithë vëmendja është përqendruar te “Final 4”, aty ku vendosen fatet e sezonit dhe ku gabimet nuk falen. Në kampin kuqeblu besojnë se momenti i rikthimit të Bekim Balajt është pikërisht tani. Në ndeshjet që vlejnë më shumë, Vllaznia pret që kapiteni të marrë skuadrën për dore dhe të udhëheqë ashtu siç vetëm ai di të bëjë, me personalitet, eksperiencë dhe qetësi në zonën kundërshtare.
Përtej golave, Balaj mbetet lideri emocional i skuadrës. Prania e tij në fushë transmeton siguri për bashkëlojtarët, ndërsa tifozët vazhdojnë të besojnë se sulmuesi shkodran ka ruajtur më të mirën për fundin. Në duelet e mëdha shpeshherë janë lojtarët me eksperiencë ata që bëjnë diferencën dhe te Vllaznia shpresojnë se kjo do të ndodhë edhe këtë herë.
E ndoshta nuk është rastësi që emri i tij është “Bekim”. Në Shkodër shpresojnë që Bekim Balaj të jetë pikërisht bekimi i madh i kuqebluve në rrugën drejt titullit kampion, një trofe që mungon prej vitesh dhe që këtë sezon duket më pranë se kurrë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


