Shkruar nga Endri ÇINARI
Atmosfera te Vllaznia duket se ka ndryshuar ndjeshëm në ditët e fundit. Pas një periudhe me luhatje dhe rezultate që sollën jo pak diskutime në ambientin kuqeblu, skuadra shkodrane është rikthyer sërish te qetësia dhe besimi, pikërisht në momentin më të rëndësishëm të sezonit.
Vendi i parë i siguruar në përfundim të kampionatit të rregullt, por edhe fitorja e fundit ndaj Flamurtari, kanë ndikuar dukshëm në rikthimin e optimizmit brenda grupit. Një sukses që ka sjellë më shumë stabilitet psikologjik te skuadra, pas një faze ku rezultatet jo gjithmonë ishin në lartësinë e pritshmërive.
Kjo e hënë e ka gjetur ekipin në një atmosferë mjaft pozitive. Futbollistët janë shfaqur të motivuar dhe të përqendruar, ndërsa në kampin shkodran ndihet qartë se fokusi tashmë është totalisht te ndeshjet e “Final 4”.
Skuadra është rikthyer menjëherë në fushën stërvitore, edhe pse seanca e parë ka qenë më tepër me karakter rikuperues dhe me ritëm të kontrolluar. Stafi teknik ka preferuar të mos rrezikojë me ngarkesën fizike, duke pasur parasysh rëndësinë e sfidave që afrohen.
Ndërkohë, ekipi i drejtuar nga Edi Martini ka nisur menjëherë përgatitjet për përballjen e parë ndaj Dinamo City, takim që do të luhet këtë të shtunë dhe që konsiderohet tepër i rëndësishëm për vazhdimësinë e skuadrës në fazën finale.
Te Vllaznia ekziston bindja se skuadra ka të gjitha mundësitë për të rivalizuar deri në fund për trofeun. Rikthimi i qetësisë dhe harmonisë në grup shihet si një element kyç për të përballuar me sukses ndeshjet që do të vendosin fatin e sezonit.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


