Shkruar nga Gjergj KOLA
Prej disa vitesh ka zgjedhur të bëjë një jetë tjetër, larg Shqipërisë dhe për momentin edhe larg boksit, por të gjithë e njohin pikërisht për këtë sport. E kemi fjalën për Jozef Sermi, ish-boksierin dhe ish-trajnerin e Vllaznia, i cili sot feston ditëlindjen.
Ai mbush 40 vjeç dhe, me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe të gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Jozef Sermi ka lindur në Shkodër më 13 maj 1986 dhe u angazhua që në moshë të re me sportin e boksit, aty ku sukseset nuk do t’i mungonin, fillimisht me grupmoshat dhe më pas edhe me të rriturit.
Me këta të fundit do të shpallej kampion i Shqipërisë në vitin 2004, në peshën 91 kg, vetëm 18 vjeç, çka tregonte se karriera e tij kishte nisur në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ai e përsëriti këtë sukses edhe në vitin 2006, duke fituar titullin e dytë kampion, por vetëm kaq. Një dëmtim serioz e detyroi të largohej nga sporti aktiv, por kurrsesi nga boksi.
Menjëherë nisi detyrën e trajnerit, duke punuar me moshat, ndërkohë që më pas u angazhua edhe me ekipin e parë të Vllaznia, si dhe ishte pjesë e stafit të ekipit kombëtar. Me ekipin shkodran si trajner është fitues i disa titujve kampion teksa edhe ai jep kontributin e tij dhe është pjesë e këtyre sukseseve.
Prej marsit të vitit 2021, ndërkohë, është larguar bashkë me familjen drejt United States, ku për momentin ndodhet larg sportit. Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë e rikthimit pranë tij, sepse boksi mbetet jeta e Jozef Sermit./www.shkodrasport.com/


