Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia duket se do të ruajë të njëjtën linjë në formacion edhe për ndeshjen e radhës në kampionat, teksa kuqeblutë do të përballen në transfertë me Partizanin. Trajneri Laszlo nuk preferon të bëjë ndryshime të shumta, sidomos pas paraqitjes së mirë të skuadrës në ndeshjen e fundit, por konkurenca në disa reparte mund të sjellë lëvizje të vogla, veçanërisht në mesfushë.
Në portë pritet të jetë sërish Jukaj, i cili po fiton gjithnjë e më shumë siguri dhe besim. Portieri shkodran ka treguar një formë në rritje dhe në ndeshjet e fundit ka dhënë garanci për skuadrën kuqeblu, duke bërë që pozicioni i tij mes shtyllave të mos vihet shumë në diskutim për sfidën ndaj Partizanit.
Edhe në mbrojtje pritet të konfirmohet e njëjta katërshe. Bardhi mund të jetë në krahun e djathtë, Avduli në të majtë, ndërsa në qendër pritet të rreshtohen Gurishta dhe Musa. Ky repart duket aktualisht më i konsoliduari te Vllaznia dhe trajneri Laszlo mund t’i besojë sërish të njëjtëve emra përballë një kundërshtari që pritet t’a vendosë në provë mbrojtjen shkodrane.
Në mesfushë situata është disi më e hapur, për shkak të rivalitetit. Marku, Obina dhe Dros janë kandidatët kryesorë për të nisur nga minuta e parë, por edhe Mehmeti e Qato mbeten në garë për një vend në formacion. Kjo është një nga dilemat e trajnerit Laszlo, i cili do të duhet të zgjedhë mes vazhdimësisë së formacionit dhe alternativave që i ofron stoli.
Në repartin ofensiv pritet të jetë sërish kapiteni Balaj, me Uldedajn dhe Muratajn që pritet ta mbështesin nga krahët. Treshja ofensive synon të krijojë hapësira dhe probleme për prapavijën e Partizanit, ndërsa eksperienca e Balajt dhe dinamika e dy lojtarëve të krahut do të jenë të rëndësishme në një transfertë të vështirë.
Në këtë mënyrë, Vllaznia pritet të zbresë në fushë me një formacion që ruan në masë të madhe strukturën e ndeshjeve të fundit, me vetëm disa pikëpyetje në mesfushë. Objektivi i kuqebluve është i qartë: të marrin një rezultat pozitiv në transfertën ndaj Partizanit dhe të vijojnë momentin e tyre të përmirësimit, në një sfidë ku çdo pikë do të kishte një peshë të veçantë.


