Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia po përgatitet për një tjetër sfidë të rëndësishme në Kategorinë Superiore, teksa të shtunën do të përballet me Bylisin në javën e 34-t të kampionatit. Ndeshja pritet të ketë jo pak peshë për shkodranët, që kërkojnë të rikthehen tek fitorja. Megjithatë, trajneri Martini do të ketë disa mungesa të ndjeshme, gjë që e detyron të bëjë ndryshime të llogaritura në formacionin bazë.
Në portë, mungesa e gardianit titullar, Pohls, do të sjellë rikthimin e Jukajt nga minuta e parë. Portieri i ri shkodran ka treguar siguri në paraqitjet e deritanishme dhe shihet si një garanci për vijën mbrojtëse, ku besimi ndaj tij mbetet i plotë. Ai do të ketë përpara një treshe mbrojtëse të përbërë nga Gurishta, Gjini dhe Bajrami — një linjë me eksperiencë dhe qëndrueshmëri, e cila synon ta mbajë të paprekur portën në përballjen me ballshiotët.
Në mesfushë, mungesa e Ardit Krymit pritet të ndjehe, çka i ndryshon ekuilibrat në qendër. Kjo hap hapësirë për aktivizimin e Salës në rolin e një mesfushori punëtor dhe energjik, i cili do të mbështetet nga Qato dhe Kallaku. Teksa nga krahët nuk priten ndryshime, me Malen në të djathtë dhe Jagon në të majtë.
Në krahun ofensiv, gjithçka do të vazhdojë të udhëhiqet nga kapiteni Bekim Balaj, që mbetet pika referuese e skuadrës në fazën përpara. Ai do të ketë mbështetjen e Dodajt, që ka pasur një formë të mirë në periudhën e fundit. Megjithatë, për këtë pozicion ekziston një balotazh i hapur me Muratajn, që mund të nisë nga minuta e parë në varësi të zgjedhjeve taktike të Martinit.
Në prag të sfidës, atmosfera brenda grupit shihet entuziaste. Pavarësisht mungesave, Vllaznia kërkon të tregojë karakter dhe të japë sinjale të forcës për fazën e fundit të kampionatit. Trajneri Martini ka theksuar rëndësinë e përqendrimit dhe përpjekjes kolektive, ndërsa tifozët shkodranë presin një paraqitje dinjitoze që të konfirmojë pretendimet e skuadrës në zonën e sipërme të renditjes.


