Saturday, May 2, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREShifrat, Vllaznia e Bylis në balancë për sezonin 2025-26

Shifrat, Vllaznia e Bylis në balancë për sezonin 2025-26

Shkruar nga Endri ÇINARI

Në prag të përballjes së katërt sezonale mes Vllaznisë dhe Bylisit në kampionatin 2025/26, statistikat flasin qartë për një ekuilibër të plotë mes dy skuadrave, duke e bërë këtë duel edhe më intrigues për tifozët dhe analistët sportivë. Deri më tani, asnjëra palë nuk ka arritur të krijojë një dominim të dukshëm, ndërsa rezultatet e tre ndeshjeve të para kanë prodhuar një bilanc të barabartë dhe plot emocione.

Gjithçka nisi në Ballsh, aty ku Vllaznia arriti të marrë një fitore minimale 0-1 në një përballje të luftuar fort. Ndeshja u vendos nga një episod i pafat për vendasit, me autogolin e Peraltës që i dhuroi tri pikë të çmuara kuqebluve. Ishte një sukses që në atë moment i dha moral shkodranëve, por që gjithsesi nuk do të përcaktonte rrjedhën e mëtejshme të këtij rivaliteti sezonal.

Në fazën e dytë, në “Loro Boriçi”, Bylis tregoi se nuk ishte një kundërshtar për t’u nënvlerësuar. Mallakastriotët arritën të dalin me një barazim 1-1, falë golave të Kallakut për Vllazninë dhe Mustafës për miqtë. Ky rezultat kishte një peshë të veçantë, pasi Bylis mbetet një ndër skuadrat e pakta që ka mundur të marrë pikë në Shkodër këtë sezon, duke konfirmuar forcën e tyre.

Ndërkohë, në fazën e tretë ishte radha e Bylisit për të festuar, teksa në një tjetër përballje të fortë arriti të triumfojë 2-1 ndaj Vllaznisë. Golat e Stoilov dhe Sanogo vulosën suksesin e mallakastriotëve, ndërsa për kuqeblutë realizoi Tafili, një gol që shërbeu vetëm për statistikë. Kjo fitore jo vetëm që riktheu balancën mes skuadrave, por gjithashtu shtoi dozën e rivalitetit për sfidat në vijim.

Tashmë, përpara sfidës së katërt, shifrat janë në një barazpeshë të plotë dhe çdo rezultat mbetet i hapur. Të dyja ekipet kanë treguar se dinë të godasin dhe të reagojnë, duke e bërë të vështirë parashikimin e fituesit. Mbetet për t’u parë nëse kjo ekuilibër do të prishet këtë të shtunë, apo nëse seria mes Vllaznisë dhe Bylisit do të vazhdojë të mbetet një histori balance në kampionatin shqiptar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments