Bylisi ka mbyllur përgatitjet dje në mesditë dhe më pas skuadra është drejtuar në kompleks. Nga aty janë nisur drejt Shkodrës në grumbullim, në prag të duelit që do të zhvillojnë sot me shkodranët, ku synimi është marrja e një rezultati pozitiv. Ballshiotët do të jenë më të plotë, ndërsa në këtë duel të parafundit në transfertë për këtë sezon, kapiteni Aurel Marku është shprehur për “Panorama Sport” se Bylisi do të guxojë për tri pikët.
“Ecuria në javët e fundit ka qenë pozitive, kemi marrë pikë jashtë fushe dhe fitore në fushën tonë. Do të synojmë të vijojmë ecurinë pozitive edhe në Shkodër. Vllaznia Shkodër ka një ekip shumë të mirë, ka bërë një sezon shumë të mirë dhe luan futboll të hapur, duke trashëguar traditën e bukur. Ne do të jemi ai Bylis që edhe ndaj të mëdhenjve di të japë maksimumin. Në Shkodër, ndryshe nga shumë fusha të tjera, dhe kjo është traditë, tifozët të lënë të luash dhe të duartrokasin.
Vllaznia është në pozita mjaft të mira në renditje, kurse ne duam mbijetesën. Kështu që me shumë respekt për Vllazninë dhe publikun futbolldashës shkodran, Bylisi do të kërkojë të bëjë më të mirën në këtë duel delikat për të dyja ekipet. Synimi është rezultati pozitiv, por edhe nëse fitojmë do të ishte diçka shumë pozitive për ne, pasi hedhim një hap të sigurt drejt mbijetesës. Si kapiten i ekipit uroj që të ketë drejtësi edhe nga gjykimi, sepse janë ndeshje që përcaktojnë fatet e sezonit. Uroj të jetë një ndeshje ‘fair-play’ dhe të fitojë futbolli. Ne si ekip do të japim shpirtin sot”, – u shpreh kapiteni i Bylisit, Aurel Marku.
JOSA – Në një duel si ky sot me Vllazninë, në Ballsh janë përgatitur gjatë gjithë javës për ta kaluar me sukses ndeshjen, edhe pse ka vështirësi të mëdha. Mallakastriotët synojnë rezultatin pozitiv të radhës, pse jo edhe fitoren. Trajneri Mirel Josa ka mungesa, por pritet të hedhë në fushë më të mirët. Në formë të mirë paraqitet Ozols, por edhe lojtarët stabël që kanë udhëhequr ekipin, sidomos Kamara. Skema do të jetë 4-4-2, por nuk përjashtohen surpriza sot në stadiumin Loro Boriçi.


