Saturday, August 8, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e gazetarit të njohur sportiv shkodran Tonin Frroku

ALMANAK/ Sot ditëlindja e gazetarit të njohur sportiv shkodran Tonin Frroku

Shkruar nga Gjergj KOLA

Ka mbi 45 vite që jeton në Korçën e bukur, por zemra e Tonin Frrokut, gazetarit të njohur sportiv shqiptar, rreh gjithmonë për Shkodrën. Lidhjet e tij me këtë qytet dhe me sportin shkodran janë shumë të forta dhe, në shkrimet, komentet apo analizat e tij, Vllaznia zë gjithmonë një vend të veçantë. Jo rrallëherë, shkrimet e tij janë botuar edhe në faqet e gazetës “Shkodra Sport”.

Për Toninin, dita e sotme është e veçantë. Ai feston 67-vjetorin e lindjes dhe, padyshim, gazeta “Shkodra Sport” nuk mund të mungonte me urimin e saj për t’i dëshiruar edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ai ka lindur më 17 korrik 1959 në Shkodër. Në rininë e tij u mor me sportin e mundjes, por më pas zgjodhi t’i përkushtohej gazetarisë sportive. Për disa vite punoi në Radio Shkodra, si edhe në organe të tjera mediatike, duke ndërtuar hap pas hapi profilin e tij si gazetar.

Më vonë u vendos në Korçë, ku krijoi familjen e tij dhe ku vazhdon të jetojë edhe sot. Megjithatë, ai nuk hoqi dorë asnjëherë nga pasioni i tij më i madh: gazetaria. Pas mbylljes së gazetës “Sport Ekspres”, bashkëpunoi me disa televizione lokale, kryesisht TV Sot7, si edhe me RTSH Korça. Njëkohësisht, vazhdon të jetë i angazhuar si gazetar kronike për televizione kombëtare, duke e ushtruar profesionin me të njëjtin pasion dhe përkushtim.

Tonin Frroku është një vlerë e Shkodrës dhe këtë e dëshmon më së miri mënyra se si e ruan dhe e flet me krenari të folmen shkodrane. Po ashtu, nuk ka ekip sportiv të Vllaznisë apo të Shkodrës që udhëton drejt Korçës për të zhvilluar një ndeshje e të mos pritet e përcillet prej tij me respektin dhe mikpritjen që e karakterizojnë.

Ky është shembulli i shkodranit të mirë, i cili prej më tepër se katër dekadash ka qenë një gazetar serioz, korrekt dhe shumë i vlerësuar.

Respekti që gëzon në qytetin e tij u dëshmua edhe pak vite më parë, kur iu akordua çmimi i gazetarisë “Hamit Boriçi”. Ky është vetëm një vlerësim modest për një njeri të mirë dhe një gazetar të shkëlqyer. Me siguri, Shkodra do të vazhdojë ta nderojë dhe ta respektojë edhe në të ardhmen për kontributin e tij të çmuar në gazetarinë sportive shqiptare.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments