Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Klubi i Futbollit Tërbuni ka nisur një kapitull të ri me ardhjen e aksionerit më të ri, Ervis Veizi, i cili ka vendosur objektiva të qartë për të ardhmen e skuadrës pukjane. Pas ndryshimeve të fundit në drejtimin e klubit dhe nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri, Veizi është shprehur i bindur se Tërbuni duhet të rikthehet sa më shpejt në nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport”, aksioneri i ri nuk e fshehu ambicien e tij për projektin që ka nisur në Pukë.
“Tërbuni nuk e ka vendin në Kategorinë e Dytë. Kam ardhur në këtë klub me objektiva shumë të qartë dhe me një projekt serioz për ta rikthyer aty ku i takon. I kam premtuar Kryebashkiakut të Pukës, z. Rrok Dodaj, se do të bëjmë maksimumin për ta ngjitur ekipin në Kategorinë e Parë.
Do të punojmë me përkushtim, do të ndërtojmë një skuadër konkurruese dhe një ambient fitues, në mënyrë që tifozët pukjanë të rikthehen të shohin një Tërbun të denjë për historinë dhe traditën që ka. Kjo është një përgjegjësi e madhe, por jam i bindur se me bashkëpunimin e të gjithëve do t’ia dalim ta realizojmë këtë objektiv”, u shpreh Veizi.
Deklarata e tij vjen në një moment kur klubi po punon për ndërtimin e skuadrës dhe të stafit teknik, me synimin për të qenë një nga pretendentët kryesorë në sezonin e ri. Tërbuni ka nisur tashmë fazën përgatitore dhe po ndërton një projekt që synon rikthimin e ekipit në kategorinë ku, sipas drejtuesve të rinj, e meriton të jetë.
Objektivi i rikthimit në Kategorinë e Parë është bërë tashmë publik dhe mbetet për t’u parë nëse investimet dhe ndryshimet e ndërmarra do të përkthehen në rezultate pozitive në fushën e lojës gjatë sezonit 2026-2027.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


