Wednesday, August 5, 2026
FAQJA E PARE PA KATEGORIGolat e munguar, reparti sulmues nën 'vëzhgim' në Shkodër

Golat e munguar, reparti sulmues nën ‘vëzhgim’ në Shkodër

Shkruar nga Endri ÇINARI

Edhe pse kampionati i ri është gjithnjë e më pranë, duket se sulmi mbetet reparti që i jep më shumë mendime stafit teknik të Vllaznisë. Në ndeshjet e fundit miqësore, kuqeblutë kanë krijuar raste, por efikasiteti përpara portës nuk ka qenë në nivelin e pritshëm, duke lënë ende vend për përmirësim para nisjes së sezonit.

Dyshja Bekim Balaj–Perez, që aktualisht shihet si alternativa kryesore në repartin ofensiv, nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në miqësoret e zhvilluara së fundmi. Edhe pse të dy kanë lëvizur mirë dhe kanë qenë të përfshirë në lojën sulmuese të skuadrës, goli ka munguar, një statistikë që nuk mund të kalojë pa u vënë re.

Në veçanti, vëmendja mbetet te Bekim Balaj. Sulmuesi me përvojë pritet të jetë sërish lideri i repartit ofensiv, por deri tani nuk ka mundur të zhbllokohet. 35-vjeçari nuk arriti të shënonte as në dy sfidat zyrtare të Conference League ndaj Malishevës, ndërsa edhe në ndeshjet përgatitore ka mbetur larg golit. Sigurisht, eksperienca e tij mbetet një vlerë e shtuar për ekipin, por Vllaznia ka nevojë që kapiteni të rikthehet sa më shpejt te goli.

Nga ana tjetër, edhe Perez ende nuk ka dhënë atë që pritej në aspektin e finalizimit. Sulmuesi ka treguar dëshirë dhe angazhim në fushë, por ende nuk ka arritur të konkretizojë rastet që i janë krijuar. Me startin e kampionatit vetëm pak ditë larg, stafi teknik do të shpresojë që dyshja titullare të fitojë ritmin dhe besimin e nevojshëm për të qenë vendimtare në ndeshjet zyrtare.

Koha për korrigjime ende ekziston, por është e qartë se rritja e efikasitetit në sulm është një nga prioritetet kryesore të Edi Martinit. Nëse Vllaznia synon të jetë protagoniste këtë sezon, golat e sulmuesve pritet të kenë një peshë të madhe në rrugëtimin e skuadrës.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments