Wednesday, June 17, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREKundërshtarët e Conference League, Vllaznia duhet t’i bëjë mirë 'llogaritë' me sulmin...

Kundërshtarët e Conference League, Vllaznia duhet t’i bëjë mirë ‘llogaritë’ me sulmin e Malishevës

Shkruar nga Endri ÇINARI

Shorti i turit të parë kualifikues të Conference League i ka vendosur përballë Vllaznisë një duel të fortë. Kuqeblutë do të matin forcat me Malishevën, skuadër që në vitet e fundit është shndërruar në një nga protagonistet kryesore të futbollit kosovar dhe që vjen në këtë përballje me ambicie të mëdha për të vazhduar rrugëtimin europian.

Ekipi nga Kosova ka njohur një rritje të ndjeshme sezon pas sezoni, duke ndërtuar një grup konkurrues dhe me cilësi të konsiderueshme. Sipas vlerësimeve aktuale të tregut, Malisheva ka një vlerë totale prej rreth 6 milionë eurosh, një shifër mjaft e rëndësishme për standardet e futbollit në rajonin tonë. Kjo tregon qartë se bëhet fjalë për një skuadër me potencial dhe me futbollistë që kanë arritur të spikasin jo vetëm në kampionatin kosovar.

Pika më e fortë e kundërshtarit të Vllaznisë mbetet reparti ofensiv. Xhylani, Aliu dhe Diatta konsiderohen ndër lojtarët më të vlefshëm të ekipit, me secilin prej tyre të vlerësuar në rreth 500 mijë euro. Treshja përbën një kërcënim të vazhdueshëm për çdo mbrojtje dhe ka qenë një nga arsyet kryesore pse Malisheva ka arritur rezultate të rëndësishme në sezonet e fundit. Përvoja dhe cilësia në fazën sulmuese janë padyshim armët kryesore të ekipit kosovar.

Në organikën e Malishevës bën pjesë edhe një emër shumë i njohur për futbollin dardan, Mevlan Zeka. Sulmuesi me eksperiencë ka qenë prej vitesh një nga golashënuesit më të spikatur në Kosovë dhe vazhdon të mbetet një element i rëndësishëm në repartin ofensiv. Prania e tij i jep skuadrës jo vetëm cilësi, por edhe eksperiencë në të tilla duele.

Sezonin 2025-26, Malisheva e mbylli kampionatin në vendin e dytë, menjëherë pas Dritës kampione, duke konfirmuar statusin e saj si një nga forcat kryesore të futbollit kosovar. Golashënuesit më të mirë të skuadrës ishin Brruti dhe Diatta me nga 9 gola secili, megjithëse i pari tashmë ka bërë hapin e radhës në karrierë duke u transferuar në Kroaci. Megjithatë, baza e ekipit ka mbetur e fortë dhe konkurruese.

Pikërisht për këto arsye, për Vllazninë kjo nuk mund të konsiderohet thjesht një sfidë e turit të parë të Conference League. Përballë kuqebluve do të jetë një skuadër e konsoliduar, me cilësi individuale dhe eksperiencë në rritje, çka e bën këtë duel një provë serioze për ambiciet europiane të shkodranëve. Kalimi i turit mbetet një objektiv i arritshëm, por për ta realizuar atë Vllaznia do të duhet të shfaqë versionin e saj më të mirë në të dyja ndeshjet.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments