Paris Saint-Germain siguroi kualifikimin në finalen e UEFA Champions League për herë të dytë radhazi, por festimet në Paris u shoqëruan me incidente të shumta dhe ndërhyrje të forcave të rendit.
Sipas autoriteteve franceze, 127 persona janë arrestuar gjatë mbrëmjes së festimeve, ndërsa 11 të tjerë kanë mbetur të lënduar, mes tyre edhe një në gjendje të rëndë.
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, konfirmoi se ngjarjet ndodhën në disa zona të kryeqytetit, përfshirë sheshet kryesore dhe zonën pranë stadiumit “Parc des Princes”.
Grumbullime të mëdha tifozësh u raportuan përgjatë Champs-Élysée, ku festimet u shoqëruan me përdorim të mjeteve piroteknike dhe disa përplasje me forcat e policisë.
Sipas raportimeve të medieve franceze, disa persona tentuan gjithashtu të depërtonin në zona të kufizuara të unazës së Parisit, duke detyruar ndërhyrjen e policisë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Autoritetet konfirmuan gjithashtu se 23 efektivë policie kanë marrë lëndime të lehta gjatë përplasjes me tifozët.


