Hetimi i zhvilluar në Milano për çështjen e basteve të paligjshme ka hyrë në fazën përfundimtare, duke sjellë mbylljen e procesit për disa futbollistë të njohur italianë.
Sandro Tonali dhe Nicolò Fagioli kanë arritur një marrëveshje me drejtësinë penale, duke mbyllur zyrtarisht çështjen e tyre. Të dy futbollistët kishin përfunduar më herët edhe dënimet sportive për bastet e vendosura në platforma të paautorizuara gjatë periudhës 2021–2023.
Sipas hetimeve, atyre u ishte ngritur edhe akuza për promovimin e këtyre platformave ilegale tek futbollistë të tjerë, vepër që në ligjin italian mund të dënohet deri në tre muaj burg dhe gjobë financiare.
Megjithatë, të dy lojtarët kanë zgjedhur të mbyllin çështjen përmes marrëveshjes me prokurorinë. Tonali ka paguar një gjobë prej 78.250 eurosh, ndërsa Fagioli është dënuar me një muaj arrest, por me pezullim të ekzekutimit të dënimit.
Në të njëjtën dosje janë përfshirë edhe 18 persona të tjerë, mes tyre emra të njohur si Matteo Perin, Weston McKennie, Leandro Paredes, Ángel Di María, Raoul Bellanova dhe Samuele Ricci.
Këta lojtarë kanë shmangur ndjekjen penale duke paguar një gjobë simbolike prej 258 eurosh, pasi akuzoheshin për përdorim të platformave të paligjshme të basteve, kryesisht në lojëra si pokeri dhe jo në futboll.
Ndërkohë, për Alessandro Florenzi-n dhe Nicolo Zaniolo-n, çështja është mbyllur më herët në një dosje tjetër në Torino, duke bërë që në Milano të shpallen të pafajshëm në këtë hetim.
Me këtë zhvillim, prokuroria italiane ka mbyllur një nga rastet më të bujshme të viteve të fundit në futbollin italian, i cili përfshiu disa emra të rëndësishëm të Serie A dhe jashtë saj.


