Saturday, May 16, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPërballjet sezonale, Vllaznia dhe Dinamo në balancë

Përballjet sezonale, Vllaznia dhe Dinamo në balancë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia dhe Dinamo do të luajnë aktin e shtatë mes tyre për sezonin 2025-26 me ndeshjen e rradhës të “final 4”. Një statistikë që tregon qartë rivalitetin e fortë mes dy skuadrave, të cilat deri më tani kanë ruajtur një ekuilibër pothuajse perfekt në duelet direkte.

Në katër përballjet e kampionatit, bilanci anon lehtë nga shkodranët. Dinamo fitoi sfidën e fazës së parë me rezultatin 3-1, ndërsa Vllaznia reagoi në dy ndeshjet pasuese duke triumfuar 1-0 dhe 0-2. Përballja tjetër mes tyre u mbyll në barazim pa gola, 0-0, duke konfirmuar edhe njëherë se diferencat mes skuadrave kanë qenë minimale gjatë gjithë sezonit.

Rivaliteti vazhdoi edhe në Kupën e Shqipërisë, aty ku dy ekipet prodhuan një tjetër duel të balancuar. Ndeshja e parë në Tiranë përfundoi 1-1, ndërsa në kthim Dinamo arriti të fitojë 0-1 në Shkodër, rezultat që i dha kryeqytetasve kualifikimin dhe eliminoi kuqeblutë nga kompeticioni.

Në total, gjashtë përballjet e zhvilluara deri tani kanë prodhuar dy fitore për secilën skuadër dhe dy barazime. Edhe numrat e golave tregojnë një diferencë të vogël mes ekipeve, me ndeshje që në pjesën më të madhe janë vendosur nga episode apo detaje të veçanta.

Një tjetër statistikë interesante është fakti se katër nga gjashtë sfidat kanë përfunduar me maksimumi një gol diferencë. Kjo tregon qartë balancën mes dy skuadrave, por edhe kujdesin taktik që ka karakterizuar çdo përballje të këtij sezoni.

Tashmë, sfida e së shtunës në “Final 4” pritet të jetë një tjetër kapitull i fortë i këtij rivaliteti. Mbetet për t’u parë nëse njëra skuadër do të arrijë të marrë epërsinë në bilancin sezonal, apo nëse barazpesha mes Vllaznisë dhe Dinamos do të vazhdojë edhe pas duelit të shtatë të këtij edicioni.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments