Është 23 vjeç dhe i ka mjaftuar vetëm një sezon në futbollin shqiptar, për t’i bërë për vete të gjithë. E kemi fjalën për sulmuesin e KF Shiroka Gabriel Olamide Ogungbire, i cili në sezonin që sapo u mbyll në kategorinë e dytë me këtë ekip ka shkëlqyer me lojën dhe golat e tij.
Olamide ka qenë pikë referimi për ekipin e Shirokës i cili ishte një nga pretendentët për ngjitjen në kategorinë e parë por u ndal nga Sopoti në play-off vetëm nga gjuajtjet e 11-metërshave. Sulmuesi nigerian i shkodranëve e mbylli sezonin me 15 gola të shënuar, duke qenë i dyti në renditjen e golashënuesve më të mirë të kampionatit pas shkodranit të Besëlidhjes Jasmin Rraboshta që shënoi 17 gola.
Falë këtyre paraqitjeve të mira, në adresë të Olamides me t’u mbyllur sezoni kanë ardhur disa oferta nga ekipet e Superiores. Gazeta “Shkodra Sport” mëson se ekipet më të interesuara kanë qenë ato të Dinamos dhe Tiranës. E para ka ofruar një shumë financiare për blerjen e kartonit të këtij lojtari, por drejtuesit e Shirokës kanë kërkuar të mbajnë edhe një përqindje kartoni dhe në këtë pikë nuk është arritur marrëveshja.
Nga ana tjetër bisedimet me Tiranën duket se kanë avancuar dhe pritet që shumë shpejt të ketë një akord përfundimtar dhe futbollisti Olamide të vishet bardheblu. Një gjë e tillë pritet të realizohet në ditët e ardhshme.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


