Nga Prof.dr. Xhevdet Zekaj
Formula që për disa vite solli më shumë rivalitet, garë, konkurrencë, por edhe tension sportiv, sot duket se ka arritur limitet e veta. Futbolli shqiptar ka nevojë për një reformim të ri, më të guximshëm, më profesional dhe më të përshtatur me realitetin europian, por edhe si domosdoshmëri e kërkuar nga vetë aktorët e futbollit shqiptar.
Nuk bëhet fjalë thjesht për ndryshim numrash apo formule. Bëhet fjalë për ndryshim filozofie në organizimin e kampionatit, në rritjen e efikasitetit, pjesëmarrjes, konkurrencës dhe identitetit të futbollit shqiptar.
Nëse duam një futboll më konkurrues, më të shikueshëm, më të besueshëm dhe ekonomikisht më të qëndrueshëm, atëherë duhet të mendojmë seriozisht për një model të ri të organizimit të kampionatit kombëtar.
Modeli me 10 skuadra pati meritën e vet, sepse rriti rivalitetin, uli diferencat ekstreme dhe e bëri luftën për titullin e mbijetesën më intensive. Megjithatë, sot po shfaq qartë disa probleme serioze:
– Mungesë të shtrirjes gjeografike të futbollit elitar;
– Numër të kufizuar futbollistësh shqiptarë që aktivizohen në nivele të larta;
– Konsumim të shpejtë të kampionatit nga përsëritja e vazhdueshme e ndeshjeve;
– Ulje të interesit në tribuna dhe në transmetime;
– Krijimin e perceptimeve për tolerime dhe deformim të garës sportive, siç u diskutua gjerësisht në fundsezonin 2026;
– Vështirësi financiare për klubet jashtë “elitës së ngushtë”;
– Dëmtim të imazhit dhe kredibilitetit sportiv të kampionatit;
– Skema shpërblimesh pa logjikë sportive dhe ekonomike, ku fituesi i Kupës së Shqipërisë përfiton më pak financiarisht se vendi i tretë në “Final Four”, ndërsa fituesi i Superkupës nuk merr asnjë shpërblim financiar. Një paradoks që zhvlerëson vetë trofetë historikë të futbollit shqiptar.
Në një vend me pasion të madh për futbollin si Shqipëria, është paradoksale që vetëm 10 qytete apo projekte sportive të kenë vend në elitë. Futbolli duhet të zgjerohet, jo të ngushtohet.
Europa e vendeve të vogla e ka kuptuar këtë prej kohësh. Kroacia, Sllovenia, Sllovakia, Hungaria, Bullgaria apo edhe vende me popullsi të krahasueshme me Shqipërinë funksionojnë me modele më gjithëpërfshirëse. Shumica kanë 12 ekipe ose më shumë në elitë, duke krijuar më tepër hapësira për lojtarët vendas, më shumë treg futbolli dhe më shumë identitet rajonal.
Shqipëria sot prodhon talente, por shumë futbollistë të rinj mbeten pa hapësira reale aktivizimi. Një kampionat me më shumë ekipe do të thotë më shumë minuta për lojtarët shqiptarë, më shumë konkurrencë reale dhe më shumë mundësi zhvillimi për akademitë.
Po ashtu, zgjerimi i elitës do të sillte një shtrirje më të madhe gjeografike të futbollit profesionist. Futbolli nuk mund të mbetet i përqendruar vetëm në disa qytete. Kur futbolli zhvillohet e luhet në më shumë rajone, rritet tifozëria, sponsorët lokalë, mediat lokale dhe vetë identiteti i kampionatit.
Edhe eksperimenti “Final Four”, që personalisht e konsideroj pozitiv si ide sportive dhe televizive, tregoi kufizimet e veta. Formula krijoi emocion dhe dramë sportive, por nuk arriti të prodhojë atmosferën dhe impaktin ekonomik që pritej, as në pjesëmarrjen e tifozërisë.
Mungesa e Tiranës dhe Partizanit në “Final Four” ishte faktor kyç, sepse bëhet fjalë për klubet me bazën më të madhe të tifozëve në vend. Por problemi nuk është vetëm ky.
Edhe tifozët e Vllaznisë, Elbasanit dhe Egnatias nuk e mbështetën masivisht formulën finale. Kostot e larta të udhëtimit, akomodimit dhe organizimit e kthyen “festën” në një barrë ekonomike për tifozët.
Futbolli shqiptar nuk mund të kopjojë mekanikisht modele amerikane apo formate të vendeve me ekonomi shumë më të fuqishme. Mentaliteti i tifozit shqiptar mbetet i lidhur me stadiumin e vet, me qytetin…


