Thursday, May 21, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORE38 gola të shënuar, shkodranët sërish protagonistë në Superiore

38 gola të shënuar, shkodranët sërish protagonistë në Superiore

Shkruar nga Endri ÇINARI

Futbollistët shkodranë vijojnë të lënë gjurmë të forta në futbollin shqiptar dhe sezoni 2025-26 i Superiores po e dëshmon edhe njëherë këtë fakt. Të dalë nga tradita e pasur e futbollit të Shkodrës dhe nga akademia e Vllaznisë, ata kanë qenë protagonistë të rëndësishëm me golat dhe paraqitjet e tyre, duke kontribuar ndjeshëm për skuadrat ku aktivizohen. Në total, deri në këtë fazë të kampionatit, futbollistët shkodranë apo ata të formuar nga akademia kuqeblu kanë realizuar plot 38 gola në elitën e futbollit shqiptar.

Në krye të kësaj liste qëndron sulmuesi veteran Bekim Balaj, i cili vazhdon të tregojë instinktin e tij të lindur për golin. Me 13 realizime, Balaj mbetet një nga bomberët më të spikatur të kampionatit dhe një pikë referimi për repartin ofensiv. Përvoja, klasi dhe qetësia para portës e kanë bërë atë sërish protagonist në Superioren shqiptare.

Menjëherë pas tij renditet Erald Maksuti, i cili ka qenë një nga surprizat më të bukura të këtij sezoni. Me 12 gola të shënuar, ai ka treguar vazhdimësi dhe efikasitet të admirueshëm, duke u kthyer në një armë të rëndësishme për skuadrën e tij. Kontributi i tij konfirmon edhe njëherë cilësinë që prodhon futbolli shkodran ndër vite.

Ndërkohë, me paraqitje pozitive janë dalluar edhe emra të tjerë të dalë nga shkolla kuqeblu. Kevin Dodaj ka realizuar 4 gola, ndërsa Marku ka tundur rrjetën 3 herë. Po ashtu, dy gola mbajnë firmën e Qardakut, teksa nga një herë kanë gjetur rrugën e rrjetës edhe Ara, Gurishta, Hakaj dhe Tafili.

Këto statistika janë një tjetër tregues i qartë i traditës dhe potencialit që vazhdon të prodhojë Shkodra për futbollin shqiptar. Akademia e Vllaznia mbetet një “fabrikë” talentesh, ndërsa futbollistët shkodranë vijojnë të mbajnë lart emrin e qytetit në çdo stadium të vendit. Në elitën e futbollit tonë, ata po dëshmojnë se Shkodra vazhdon të jetë një nga zemrat më të forta të futbollit shqiptar.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments