Thursday, May 21, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot dita për të kujtuar Vehbi Sulejmanin, trajnerin e shekullit të...

ALMANAK/ Sot dita për të kujtuar Vehbi Sulejmanin, trajnerin e shekullit të volejbollin shkodran

Shkruar nga Gjergj KOLA

Nëse flasim për sportin e volejbollit në Shkodër dhe veçanërisht për atë të femrave, e nëse duhet të përmendim trajnerët që kanë lënë gjurmë me punën e tyre, një nga emrat më të suksesshëm padyshim që është ai i Vehbi Sulejmani. Jo më kot, në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Vllaznia katër vite më parë, trajneri në fjalë u nderua nga Bashkia Shkodër dhe klubi Vllaznia me “Mirënjohje” si “Trajneri i Shekullit” i këtij klubi në sportin e volejbollit.

Po ndalemi sot te ky personazh sepse ai feston 93-vjetorin e lindjes. Profesor Vehbia prej një viti e gjysëm nuk ndodhet më mes nesh, megjithatë ky është një moment i mirë për ta kujtuar sërish dhe për ta rikthyer në vëmendjen e sportdashësve shkodranë, por edhe të sportisteve që kanë dalë nga duart e tij.

Vehbi Sulejmani ka lindur në Shkodër më 21 maj 1933 dhe në rininë e tij zgjodhi të merrej me volejboll. Shumë shpejt ai do të bëhej pjesë e ekipit të të rriturve të Vllaznia, me të cilin do të luante deri në vitin 1965, duke mbuluar rolin e pasuesit, por edhe të organizatorit të lojës.

Pas përfundimit të karrierës si sportist, ai do të niste atë si trajner, duke marrë drejtimin e ekipit të të rejave të Vllaznia. Këtë detyrë do ta ushtronte për më shumë se dy dekada, me shumë dëshirë e pasion, duke nxjerrë nga duart e tij elementët më cilësorë të volejbollit shkodran, disa prej të cilave më pas do të bëheshin edhe pjesë e ekipeve kombëtare.

Mjafton të intervistosh volejbollistet e atyre viteve dhe padyshim që emri i parë që ato përmendin është ai i trajnerit të tyre, Vehbi Sulejmani. Një njeri shumë i mirë, edukator dhe prind për të gjithë sportistët. Profesori Vehbi shquhej për qetësinë e tij, për mënyrën e komunikimit dhe për shumë cilësi të tjera që e bënin atë të veçantë dhe që i fitonin respektin e të gjithëve.

Për gjithë kontributin e dhënë ndër vite pranë volejbollit shkodran, përveç vlerësimit si “Trajner i Shekullit”, ai është nderuar edhe me titullin “Mirënjohja e Qytetit” nga Këshilli Bashkiak Shkodër në vitin 2014, me titullin “Nderi i Sportit Shkodran” nga Këshilli Sportiv i qytetit në vitin 2006, si dhe me “Mirënjohje” nga Federata Shqiptare e Volejbollit në vitin 2017.

Vehbi Sulejmani u nda nga jeta më 7 tetor 2024 në moshën 91 vjeçare duke lënë pas kujtime shumë të mira dhe kjo padyshim që e bën atë një emër të nderuar të historisë së volejbollit shkodran dhe shqiptar./www.shkodrasport.com/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments