Shkruar nga Endri ÇINARI
Mungesa e futbollistëve në fazën sulmuese të Vllaznisë, Bismark dhe Kastrati, po rezulton një goditje e rëndë për skuadrën kuqeblu në momentin më delikat të sezonit. Dy futbollistët, të cilët kanë qenë pika referimi në repartin ofensiv gjatë kampionatit, prej javësh kanë mbyllur sezonin për shkak të problemeve fizike, duke lënë një boshllëk të madh në lojën e shkodranëve. Pikërisht në fazën kur ekipi kishte më shumë nevojë për eksperiencën dhe golat e tyre, mungesa e dyshes po ndihet dukshëm në fushën e lojës.
Në ndeshjet e fundit, është vënë re qartë se Vllaznia ka humbur forcën dhe fantazinë në sulm. Kuqeblutë po prodhojnë shumë pak raste për gol dhe në të shumtën e kohës duken të lexueshëm në manovrën ofensivë. Sulmet e skuadrës shkodrane nuk kanë më të njëjtin ritëm dhe agresivitet, ndërsa mungon lojtari që mund të bëjë diferencën në momentet vendimtare. Pa praninë e Bismark dhe Kastratit, skuadra ka humbur jo vetëm efikasitetin, por edhe sigurinë psikologjike në repartin e avancuar.
Kjo situatë është komentuar gjerësisht nga analistët sportivë, të cilët e konsiderojnë mungesën e dy sulmuesve si një nga arsyet kryesore të rënies së rendimentit të Vllaznisë në javët e fundit. Sipas tyre, ekipi po e vuan shumë mungesën e alternativave cilësore në sulm, ndërsa zgjidhjet e trajnerit nuk kanë arritur të japin efektin e pritur. Edhe tifozët kuqeblu nuk e kanë fshehur zhgënjimin, duke theksuar se skuadra ka humbur forcën goditëse pikërisht në kohën kur duhej të ishte më vendimtare.
Në një sezon ku objektivat ishin maksimalë, dëmtimet e dy lojtarëve kanë ardhur në momentin më të papërshtatshëm të mundshëm. Bismark dhe Kastrati kishin krijuar një dyshe të rëndësishme për lojën sulmuese të Vllaznisë dhe mungesa e tyre ka prishur balancat e ekipit. Shkodranët tashmë po përballen me presionin e rezultateve, ndërsa alternativa në repartin ofensiv duket e kufizuar dhe larg pritshmërive të tifozërisë.
Teksa sezoni po hyn në javën finale, mbetet për t’u parë nëse Vllaznia do të arrijë të gjejë zgjidhje për të kompensuar mungesën e dy futbollistëve. Ajo që është e qartë, është fakti se pa Bismark dhe Kastratin, kuqeblutë kanë humbur shumë nga potenciali i tyre ofensiv dhe kjo po reflektohet jo vetëm në rezultatet, por edhe në mënyrën e lojës së ekipit shkodran.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


