Lorenc Jemini, ish-gjyqtar i FIFA-s, mendon se Enea Jorgji gaboi në ndeshjen Vllaznia-Egnatia. Aty ku rrogozhinasit fituan 1 me 2 dhe shtruan rrugën për titullin kampion. Sipas Jeminit, Jorgji nuk duhet të drejtonte këtë ndeshje. Gabimi më i rëndë është në minutën e 12-të, kur Alijev i Egnatias nuk u ndëshkua me karton të kuq pasi goditi Gurishtën me bërryl.
Jemini e tregon te “Procesi Sportiv” arsyen përse Jorgji nuk duhet të ishte në drejtimin e kësaj sfide. Jo vetëm Jorgji, por edhe Juxhin Xhaja gaboi në VAR. E njëjta dyshe, pra Jorgji në fushë dhe Xhaja në VAR, ishin te sfida Dinamo-Egnatia në finalen e Kupës. Atje ku ishte një rast i ngjashëm me Alijev-Gurishta. Megjithëse Jorgji gaboi duke i treguar Bakajokos vetëm kartonin e verdhë pas ndërhyrjes ndaj Teqjas, Xhaja ndërhyri dhe e thirri në VAR. Këtë herë për Gurishtën nuk ndikoi te vendimi i Jorgjit.
MOVIOLA E LORENC JEMINIT
“Ndeshja që ka pasur polemika ka qenë kjo këtu, Egnatia-Vllaznia. Mendoj se këtu arbitri ka gabuar, duhet të jepte karton të kuq. Kjo ishte në minutën e 12-të. Kjo është për karton të kuq se edhe i ka thyer hundën, por nuk është kusht thyerja ose gjaku, por unë shikoj mënyrën e bërrylit të atij në një formë arme. Si armë. Nuk e di çfarë komunikimi ka pasur VAR me arbitrin. E vetmja arsye që unë shikoj mund të jetë që arbitri i fushës i ka thënë: ‘Unë mendoj që është karton i verdhë’.
Dhe VAR nuk i ka shkuar për ta çuar te monitori, mendoj se ka bërë gabim. Këto janë karton të kuq, gjithmonë. Ai mund të ishte karton i verdhë, vetëm nëse dora në kërcim e sipër. Po jo ta çosh dorën. Shikoni si e çon ky. E njëjta sjellje që është përdorur te ndeshja Dinamo-Egnatia për Kupë, që iu dha karton i kuq lojtarit të Egnatias që çau portierin. Ka qenë i njëjti arbitër dhe i dha karton të verdhë. Dhe e korrigjoi VAR, e thirri, erdhi e pa dhe i dha karton të kuq.
E thashë minutën sepse duhet llogaritur që nga minuta e 12-të, do të luante me një lojtar më pak. Je i favorizuar. Është gabuar dhe duhet të luante me një lojtar më pak”, u shpreh fillimisht Jemini.
Më pas rezulton se edhe Bekim Balaj duhet të largohej me karton të kuq. Për kapitenin e Vllaznisë është përmendur një gjest antisportiv.
“Ndeshja doli nga kontrolli. Dhe arbitrit i ka ikur si moment. Këtu Balaj duhet të marrë karton të kuq. Ta kapësh lojtarin në kokë dhe fytyrë ashtu, gati t’i nxjerrësh sytë. Hajd ta menaxhojmë ndeshjen se ai kartoni i kuq atje të sjell dhe këtë tani”, u shpreh Jemini.
Më pas tregoi edhe pse sipas tij nuk duhet të drejtonte Enea Jorgji këtë takim: “E para, unë mendoj se ky arbitër nuk duhet të ishte te kjo ndeshje. Ky arbitër ishte para një jave te finalja e Kupës, Dinamo-Egnatia, dhe ka pasur po të njëjtat probleme me Egnatian. I dha kartonin e kuq lojtarit të Egnatias me VAR. Dhe nuk mundesh ti arbitër, që ke dhënë një karton të kuq, je i ngarkuar psikologjikisht dhe është normale që të jesh sepse Egnatian e dëmton para një jave dhe e dëmton sërish tani. Nuk e kuptoj dot këto që i zgjedhin. Ke katër ndeshje për të bërë, dy të kaluan shumë mirë. Vetëm kjo ishte ndeshje për kampion”.


