Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Kukësi ka rënë zyrtarisht në Kategorinë e Dytë pas humbjes ndaj Bylisit B në finalen e “play-out”, e vendosur nga pika e bardhë e penalltive. Një verdikt sportiv i qartë në fushë, por që mund të komplikojë skemën e kategorive në vijim. Problemi lind nëse ekipi i parë i Bylisit bie nga Abissnet Superiore në Kategorinë e Parë.
Në këtë skenar, sipas praktikës dhe logjikës së garës, Bylisi B nuk mund të qëndrojë në të njëjtën kategori me ekipin A, çka do ta detyronte të rikthehej në Kategorinë e Dytë. Kjo krijon një vend vakant në Kategorinë e Parë, për të cilin rregullorja aktuale e FSHF-së nuk jep një përgjigje të qartë.
Një nga opsionet që mbetet në tryezë është organizimi i një finaleje shtesë mes Shirokës dhe Butrintit për të përcaktuar skuadrën që do të plotësonte vendin bosh. Megjithatë, ky variant nuk është ende zyrtar dhe mbetet në dorën e FSHF-së për t’u vendosur në ditët në vijim.
Në thelb, gjithçka tashmë nuk varet më nga rezultati sportiv, por nga një interpretim dhe vendim administrativ që pritet të sqarojë përfundimisht hartën e Kategorisë së Parë për sezonin e ardhshëm.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


