Thursday, May 28, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- kampiones së atletikës, Mimoza Meta (Kraja)

ALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- kampiones së atletikës, Mimoza Meta (Kraja)

Shkruar nga Gjergj KOLA

Atletika shkodrane po dominon aktualisht tek ky sport me ekipin e meshkujve prej shumë vitesh, por edhe me femrat Vllaznia ka patur dominimin e saj absolut në vitet ’50- ’60, pikërisht në atë që të gjithë e quajnë periudha e Feti Dizdarit dhe e sportisteve që ai ka stërvitur. Sot do të ndalemi tek njëra prej tyre, pikërisht ish- atletja e Vllaznisë Mimoza Meta (Kraja).

Po ndalemi tek ajo sepse pikërisht në këtë ditë ajo në bazë të rregjistrit të gjendjes civile ka ditëlindjen dhe feston 81 vjetorin e lindjes. Me këtë rast, në emër të redaksisë së Gazeta “SHKODRA SPORT” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Mimoza ka lindur më 28 maj 1945 dhe me sportin e atletikës do të lidhej në vitin 1958, kur ajo ishte vetëm 13 vjeçe. Në shkollën “7 Nëntori” do të zhvillohej një garë në mes nxënësve të shkollave dhe ajo doli e para. Kaq mjaftoi që menjëherë pranë saj të shkonte trajnri i Vllaznisë Feti Dizdari i cili e pyet për emrin e mbiemrin dhe nëse kishte dëshirë të bëhej pjesë e ekipit shkodran të atletikës.

Kuptohet që për një fëmijë 13 vjeç dëshira ekzistonte por nuk dihej qartë nëse familja e saj do ta linte apo jo. Në fakt, familja Meta ishte e lidhur me sportin sepse i ati- Ragipi kishte qenë futbollisti me Gjimnazin e Shkodrës dhe më pas kishte vazhduar sportin e atletikës në Turqi. Po ashtu xhaxhallarët, Isaja kishte qenë atlet në garat e kërcimit së larti dhe me shkopi ndërsa Kujtimi kishte qenë futbollist. Më vonë edhe e motra e Mimozës, pikërisht Valdetja u mor me atletikë, basketboll, gjimnastikë dhe shah.

Si rrjedhojë takimi i zotni Fetit me nënën e Mimozës, Hajrijen e cila ishte motra e heroit Bajram Curri, shkoi ashtu si duhet teksa ajo dha edhe aprovimin që e bija të merret me sport. Dhe ajo do t’i bashkohej menjëherë shoqeve të ekipit të Vllaznisë si Sebije Keraj, Myzejen Duli, Fozilet Luli, Artenca Tufi, Xhemalije Kavaja, Shaqe Nika, Marije Dallndyshja, Lula Ndoja etj.

Gjatë karrierës së saj, e cila do të zgjaste deri në vitin 1971, Mimoza Meta (Kraja) do të kishte jo pak arritje, teksa nuk do të mungonin edhe titujt kampionë në garat e 100 dhe 200 metrave, në stafetën e vogël atë 4×100 metra, por edhe në stafetën e madhe (400, 300, 200 dhe 100 metra).

Në sportin e atletikës ajo gjeti edhe njeriun e jetës, bashkëshortin e saj të ardhshëm dhe atletin e njohur Rasim Kraja. Janë njohur që në moshë shumë të re pikërisht në pistën e atletikës dhe lidhja e tyre më pas u kurorëzua në martesën e tyre duke u bërë kështu një çift mjaft simpatik dhe të njohur jo vetëm në sport, por edhe jashtë tij.

Mimoza Meta (Kraja) ka hyrë në historinë e atletikës shkodrane dhe mbetet një emër i nderuar i saj që meriton nderim dhe respekt për kontributin e dhënë në këtë sport.

Burimi: Gazeta “SHKODRRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments