Shkruar nga Gjergj KOLA
Nëse flasim për atletikën shkodrane, padyshim që një nga emrat që nuk mund të anashkalohet kur kujtohen vitet ’80 është ai i Arbana Xhani Bekteshi. Një kampione dhe rekordmene e madhe, e cila ka shkruar emrin e saj me germa të arta në historinë e atletikës shqiptare.
Sot ndalemi te kjo figurë e njohur e sportit, pasi feston 59-vjetorin e lindjes. Me këtë rast, në emër të gazetës “Shkodra Sport” dhe të gjithë lexuesve të saj, i urojmë Arbanës edhe 100 vite të tjera të lumtura, me shëndet dhe suksese.
Arbana Xhani Bekteshi ka lindur në Shkodër më 1 qershor 1967 dhe që në moshë të vogël zgjodhi t’i përkushtohej atletikës, sport në të cilin do të spikaste si një nga sprinteret dhe rekordmenet më të mira që ka njohur Shqipëria.
Ajo hyri në histori si atletja e parë shqiptare që arriti të kalojë kufirin e 6 metrave në kërcimin së gjati, duke vendosur një rekord që mbeti gjatë në memorien e sportit shqiptar. Njëkohësisht, Arbana është 24 herë kampione kombëtare në garën e 200 metrave dhe 18 herë kampione në 100 metra. Gjatë karrierës së saj ka thyer tri herë rekordin kombëtar në 200 metra dhe dy herë atë në kërcim së gjati.
Për arritjet e jashtëzakonshme sportive, ajo është nderuar me titullin “Mjeshtre Sporti” në vitin 1988, ndërsa në vitin 2003 mori titullin “Mjeshtre e Merituar e Sportit” (Medalja e Artë). Gjithashtu, është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri” nga Presidenti i Republikës.
Në vitin 2019, në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Vllaznia, ajo u nderua me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe”, ndërsa është vlerësuar edhe si “Sportistja e Shekullit” e klubit shkodran, për kontributin e jashtëzakonshëm, titujt e shumtë kampionë, rekordet kombëtare dhe medaljet e fituara në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
Prej vitesh ndërkohë, protagonistja e këtij shkrimi po jep një kontribut shumë të rëndësishëm edhe në fushën akademike, si pedagoge në Fakultetin e Edukimit Fizik pranë Universiteti i Shkodrës Luigj Gurakuqi, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të specialistëve të sportit dhe edukimit fizik.
Një kampione në pistë, por edhe një model përkushtimi dhe profesionalizmi jashtë saj. Urime ditëlindjen, Arbana! 🎉🏃♀️🏅
/www.shkodrasport.com/


