Shkruar nga Endri ÇINARI
Drenica ka arritur të realizojë objektivin më të rëndësishëm të sezonit, duke siguruar qëndrimin në elitën e futbollit kosovar edhe për edicionin e ardhshëm. Skuadra kuqezi triumfoi me rezultatin 1-2 në transfertën e vështirë ndaj Prishtinës në javën e fundit të kampionatit, një fitore që rezultoi vendimtare për të shmangur jo vetëm rënien direkte nga kategoria, por edhe sfidën e “play out”-it.
Në një sezon të mbushur me vështirësi dhe tension deri në minutat e fundit, Drenica gjeti forcën për të reaguar në pjesën e dytë të kampionatit. Një rol të rëndësishëm në këtë kthesë pozitive luajti trajneri gjerman Thomas Brdariç, i cili mori drejtimin e ekipit në një moment delikat, kur mbijetesa dukej seriozisht e rrezikuar. Megjithatë, me eksperiencën dhe qetësinë e tij, ish-trajneri i Vllaznisë arriti të ndërtojë një skuadër konkurruese dhe ta çojë atë drejt realizimit të objektivit.
Jo rastësisht, një pjesë e mirë e protagonistëve të Drenicës gjatë muajve të fundit kanë qenë futbollistë me të kaluar te Vllaznia. Nga merkatoja e janarit e deri në fundin e sezonit, emra si Qarri, Jonuzi, Çoba dhe Da Silva dhanë kontribut në momentet më vendimtare të kampionatit. Përvoja e tyre në ndeshje me presion të lartë rezultoi një armë e fortë për skuadrën kuqezi.
Tashmë Drenica mund të shohë me më shumë optimizëm drejt sezonit të ardhshëm. Mbijetesa e siguruar në fushë përballë një rivali të fortë si Prishtina përbën një sukses të rëndësishëm për klubin, ndërsa Thomas Brdariç dhe ish-kuqeblutë e tjerë mund realizuan me sukses një detyrë të vështirë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


