Javën e ardhshme në Elbasan do të zhvillohet kampionati kombëtar i atletikës për të rritur dhe ky kampionat po pritet me një interes të madh në Shkodër. Kjo sepse ekipi i meshkujve i Vllaznisë pretendon të fitojë titullin e 30-të kampion, prej të cilëve ky i sivjetmi do të jetë i 18-ti rradhazi.
Deri më tani ka qenë Partizani ai që kryesonte në këtë rekord me 29 tituj kampion (Vllaznia e barazoi vitin e kaluar) dhe tashmë është momenti për ta thyer dhe për të vendosur një rekord të ri.
Ka momente kur historia nuk shkruhet me fjalë, por me djersë, sakrifica dhe rezultate. Atletët e Vllaznisë ndodhen përpara një sfide të madhe, por edhe përpara një mundësie të artë: fitimin e titullit të 30-të kampion të Shqipërisë, një rekord që do të vuloste edhe një herë dominimin e kuqebluve në atletikën shqiptare.
Vllaznia nuk përfaqëson vetëm një klub. Ajo përfaqëson traditën, krenarinë dhe historinë sportive të Shkodrës. Çdo atlet që zbret në pistë mban mbi supe peshën e një emri të madh, por edhe privilegjin për të qenë pjesë e tij.
Javën e ardhshme, më 10-11 qershor, nuk do të garoni vetëm për veten tuaj. Do të garoni për të gjithë ata që kanë veshur fanellën kuqeblu ndër vite, për trajnerët që ju kanë udhëhequr, për tifozët që besojnë tek ju dhe për historinë që pret të pasurohet me një kapitull të ri.
Tani është koha për ta bërë realitet ëndrrën. Koha për titullin e 30-të. Koha për të shkruar historinë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


