Krimi Ekonomik pranë Policisë së Tiranës ka zbuluar një skemë mashtrimi në një degë banke në kryeqytet. Në lidhje me rastin, Prokuroria e Tiranës ka caktuar 12 masa sigurie për punonjës të bankës, mes tyre edhe dy drejtuesit Albin Keta dhe zëvendësi i tij, Gilbert Hoxha, të dyshuar për “rruajtjen” e parave nga llogaritë e klientëve.
Gilbert Hoxha është një emër që lidhet me botën e sportit, pasi ai është një gjyqtar i njohur i basketbollit në Shqipëri, madje prej vitesh mban edhe stemën ndërkombëtare të FIBA-s. Hetimi nisi pas kallëzimit të një klienti, i cili në 2025-ën denoncoi se nga tre llogaritë e tij ishin tërhequr pa autorizim rreth 500 mijë lekë.
Prokuroria e Tiranës thekson se në një rast ishte vetë banka e nivelit të dytë, e cila denoncoi një tjetër rast për tërheqjen e shumave pa autorizim ndaj një klienteje në të njëjtën degë. Kështu, drejtori i degës së bankës, Keta, zëvendësi i tij, Hoxha, dhe 10 punonjës të degës, akuzohen nga Prokuroria se kanë vjedhur në bashkëpunim nga llogaritë e dy klientëve, një shumë totale prej rreth 400 mijë euro.
E gjitha nisi pas denoncimeve për transaksione të paautorizuara, ku në njërin rast ishte vetë banka qendrore që iu drejtua autoriteteve. Prokuroria e Tiranës lëshoi 12 masa sigurie, të cilat u ekzekutuan përveç një punonjëseje, ende në kërkim. Sipas hetimeve, personat e përfshirë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke shpërdoruar detyrën sipas funksioneve përkatëse, kanë kryer ndërhyrje të paligjshme dhe transferta të paautorizuara.
Shtetasit Albin Keta dhe Gilbert Hoxha, ndaj të cilëve u kërkua masa e sigurisë ‘Arrest në burg’, akuzohen se kanë kryer në mënyrë të përsëritur veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale. Duke shpërdoruar detyrën dhe aksesin në sistemin bankar, ata kanë përvetësuar shumat monetare të dy kilentëve nëpërmjet përdorimit të mandateve të tërheqjes false, pa mandat, ndërhyrjes së kundërligjshme në sistem nëpërmjet konvertimeve valutore, hapje/mbyllje depozitash si dhe ndryshim të të dhënave pa autorizim.
Kjo skemë vjedhjeje e koordinuar krijon dyshim të arsyeshëm mbi konsumimin e veprës penale për të cilën janë në hetim. Sipas akuzës, këto veprime ata i kryen në bashkëpunim me punonjësit e tjerë të bankës, në cilësinë e arkëtarit, supervizorit si dhe të shërbimit ndaj klientit.
Shënim: Personat në fjalë prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.


