Këtë fundjavë pritet të nisë sezoni i ri për futbollin e moshave në Shkodër dhe si rrjedhojë kampionatet respektive sipas grupmoshave që organizohen nga Shoqata Rajonale janë gati të marrin start. Në prag të nisjes së tyre, drejtuesit e Shoqatës ndërkohë kanë zhvilluar mbledhje me të gjithë aktorët e futbollit shkodranë.
Kryetari i sapozgjedhur Armir Grimaj bashkë me stafin e tij e ka nisur punën me një takim me stafin e përfaqësueseve rajonale. Më pas është vijuar me takimet e tjera, fillimisht me arbitrat e Kolegjiumit të Shkodrës, më pas me mjekët dhe delegatët e ndeshjeve dhe gjithçka është përmbyllur me takimin e organizuar me trajnerë dhe drejtues të të gjitha Shoqatave anëtare të saj.
Kuptohet që i gjithë fokusi ka qenë tek koordinimi i punës dhe kalendarit mes stafeve teknike, organizimin dhe rritjen e nivelit të Përfaqësueseve Rajonale, si edhe përgatitjet për nisjen e aktiviteteve futbollistike sipas grupmoshave, duke filluar nga U-7 deri te U-17.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe evidentimit dhe zhvillimit të talenteve të reja në rajonin e Shkodrës, me synimin për t’u krijuar futbollistëve të rinj mundësi sa më të mira për rritje dhe promovim.
Bashkëpunimi mes drejtuesve të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër dhe trajnerëve shihet si një element i rëndësishëm për mbarëvajtjen e kampionateve dhe zhvillimin e mëtejshëm të futbollit shkodran.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


