Shkruar nga Endri ÇINARI
Në një sezon ku gara për titullin kampion ka mbetur plotësisht e hapur deri në fund, përballjet mes Vllaznisë dhe Elbasanit kanë reflektuar më së miri ekuilibrin mes dy skuadrave. Katër ndeshje, katër duele të luftuara dhe një bilanc totalisht i barabartë mes kuqebluve dhe verdhebluve, që vazhdojnë të mbeten në garë për fronin e kampionatit në raundin e fundit të edicionit.
Faza e parë i buzëqeshi Vllaznisë, që arriti të fitonte minimalisht 1-0 falë golit të Jagos. Një sukses i rëndësishëm për shkodranët, që morën avantazhin në përballjet direkte mes dy ekipeve dhe nisën të japin sinjalet e para në garën për kreun.
Megjithatë, Elbasani reagoi menjëherë në fazën e dytë. Verdheblutë triumfuan 1-0 në shtëpi me golin e Tsague, duke rikthyer ekuilibrin mes dy skuadrave dhe duke treguar se rivaliteti mes tyre do të ishte i hapur deri në fund të sezonit.
Në fazën e tretë ishte sërish radha e Vllaznisë për të marrë tri pikët. Kuqeblutë fituan 2-1 falë golave të Balajt dhe Dodajt, ndërsa për Elbasanin realizoi Boje. Një tjetër duel i luftuar, që konfirmoi diferencat minimale mes dy skuadrave.
Por edhe faza e katërt prodhoi të njëjtën panoramë balance. Elbasani fitoi 3-1 në shtëpi me dopietën e Lajthias dhe golin e Tsague, ndërsa për Vllazninë realizoi Qato. Një sukses që vulosi bilancin perfekt mes dy rivalëve, me nga dy fitore secila dhe me garën për titull që mbetet ende plotësisht e hapur.


