Friday, May 29, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENdeshja finale e sezonit, Vllaznia pritet me ndryshime në formacion

Ndeshja finale e sezonit, Vllaznia pritet me ndryshime në formacion

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia pritet të zbresë me disa ndryshime në formacion në ndeshjen e fundit sezonale ndaj Elbasanit, një sfidë ku kuqeblutë do të kërkojnë me çdo kusht fitoren për të mbajtur gjallë shpresat për titullin kampion. Problemet në repartin defensiv, por edhe nevoja për më shumë freski në disa sektorë të fushës, duket se do ta detyrojnë stafin teknik të bëjë lëvizje të rëndësishme në “Air Albania”.

Një nga mungesat më të ndjeshme mbetet ajo e Gurishtës. Mbrojtësi kuqeblu nuk do të jetë në dispozicion për shkak të pezullimit, ndërsa gjendja e tij fizike pas dëmtimit ka shtuar edhe më shumë dyshimet për aktivizimin. Pikërisht kjo situatë i hap rrugën rikthimit të Bajramit në formacionin titullar. Pas mungesës në sfidën ndaj Egnatias për shkak pezullimi, mbrojtësi pritet të marrë menjëherë vendin në qendër të prapavijës, aty ku trajneri kërkon më shumë stabilitet dhe eksperiencë.

Ndryshime të rëndësishme mund të ketë edhe në mesfushë, repart ku konkurrenca është rritur ndjeshëm pas paraqitjes pozitive në ndeshjen e fundit. Qato dhe Murataj konsiderohen aktualisht si dy nga lojtarët më të favorizuar për ta nisur nga minuta e parë ndaj Elbasanit. Të dy futbollistët dhanë sinjale shumë të mira kundër Egnatias, duke sjellë energji, ritëm dhe më shumë agresivitet në fazën e ndërtimit të lojës. Pikërisht performanca e tyre duket se ka bindur stafin teknik për t’u besuar një rol më të rëndësishëm në takimin vendimtar të sezonit.

Edhe në repartin ofensiv nuk përjashtohen lëvizje të minutës së fundit, megjithëse disa emra duken të paprekshëm. Balaj mbetet pika kryesore e referimit në sulm falë eksperiencës dhe peshës që ka në lojën e skuadrës, ndërsa edhe Dodaj shihet si një nga favoritët për të qenë titullar. Forma e treguar në javët e fundit dhe aftësia për të krijuar raste në zonën kundërshtare i japin avantazh ndaj alternativave të tjera në repartin ofensiv.

Tashmë mbetet për t’u parë se cilat do të jenë zgjedhjet finale të trajnerit për këtë përballje të fundit, ku çdo detaj mund të bëjë diferencën. Vllaznia synon të mbyllë sezonin me një fitore ndaj Elbasanit, ndërsa ndryshimet e pritshme në formacion konsiderohen si tentativa për t’i dhënë skuadrës më shumë ekuilibër dhe forcë në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments