Vllaznia në futboll për femra do të synojë sot të sjellë në Shkodër titullin e 13-të kampion rradhazi. Dhe gjasat janë që të ndodhë kështu sepse e ka dominuar kampionatin nga fillimi e deri në fund dhe duke u konfirmuar si ekipi më i mirë i tij. Megjithatë ka mbetur edhe një finale për t’u luajtur.
Ajo e sotmja në orën 16:00 në stadiumin “Selman Stërmasi” ndaj Apolonisë së Fierit. Kjo e fundit është skuadra e vetme që i ka marrë një barazim vajzave kuqeblu këtë sezon dhe ka ndodhur në javën e parafundit të kampionatit të rregullt. U luajt në “Loro Boriçi” dhe u mbyll 1-1. Një ndeshje që në fakt nuk u vlerësua si duhet nga shkodranet që ishin të shkëputura 8 pikë në krye të renditjes.
Por kuptohet që sot do të jetë një histori tjetër. Dhe kur bëhet fjalë për një titull kampion, Vllaznia nuk “fal”. E ka fituar atë prej 12 vitesh dhe do ta tentojë edhe sot. Në mes dy skuadrave ka shumë diferenca, nga përbërja, mënyra e funksionimit dhe elemente të tjera. Megjithatë mbetet një finale.
E rëndësishme është që falë ecurisë së Vllaznisë në vitet e kaluara në Champions League, Shqipëria ka fituar të drejtën për të luajtur në sezonin e ri të këtij kompeticioni të rëndësishëm europian me dy skuadra dhe përpos ekipit shkodran këtë të drejtë tashmë e ka fituar edhe Apolonia si skuadra finaliste.
Ky është një tregues që futbolli shqiptar i femrave duhet t’i jetë mirënjohës VLLAZNISË, paçka se nuk ka ndodhur kështu dhe shpeshherë janë munduar t’i vënë shkopinj ndër rrota, por ajo ia ka dalë t’i sfidojë të gjithë dhe të vendosë rekorde të reja dhe të fitojë trofe të tjerë. Sot luan për titullin kampion të rradhës dhe kundërshtaret e saj duhet ta dinë se nuk kemi të bëjmë me trofeun e Kupës së Republikës…
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


