Verdheblutë synojnë të ndërtojnë një grup edhe më konkurrues dhe lëvizjet e para në merkato duket se janë vendosur tashmë në fokusin e klubit.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se drejtuesit kanë piketuar të paktën tre lojtarë për të përforcuar skuadrën, ndërsa bisedimet kanë avancuar ndjeshëm me disa prej tyre.
Emri që duket më pranë afrimit në këtë moment është ai i sulmuesit Ledio Tresa, i cili ka mbyllur aventurën e tij me Laçin dhe pritet të jetë një nga lëvizjet e para të merkatos verore për elbasanasit. Sipas informacioneve, Elbasani i ka paraqitur tashmë ofertën sulmuesit dhe palët janë shumë pranë arritjes së marrëveshjes finale.
Thuajse të gjitha detajet mes klubit dhe lojtarit janë diskutuar, ndërsa pritet vetëm konfirmimi përfundimtar që transferimi të konsiderohet i mbyllur. Drejtuesit verdheblu e shohin Tresën si një element që mund t’i japë më shumë forcë repartit ofensiv në sezonin e ardhshëm.


