Friday, June 19, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLPresidenti Duka takim me trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave. Qëllimi? Zhvillimi...

Presidenti Duka takim me trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave. Qëllimi? Zhvillimi i talenteve dhe strategjia e tyre

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi sot një takim pune me trajnerët e të gjitha ekipeve kombëtare të moshave për djem dhe vajza, si edhe me përfaqësues të Drejtorisë Teknike të FSHF-së.

Takimi u fokusua në analizën e ecurisë së ekipeve kombëtare të moshave, rezultatet e arritura gjatë periudhës së fundit, si edhe në identifikimin e problematikave dhe aspekteve që kërkojnë përmirësim në funksion të rritjes së nivelit të futbollit shqiptar.

Gjatë diskutimeve, Presidenti Duka vuri theksin te rëndësia e ndërtimit të një strategjie të qartë dhe afatgjatë për zhvillimin e ekipeve kombëtare të moshave, duke nënvizuar nevojën për një fokus të shtuar te produkti i futbollit vendas dhe identifikimi i talenteve që vijnë nga kampionatet shqiptare.

Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua analizës së punës së ekipeve përfaqësuese rajonale, të cilat përbëjnë një hallkë të rëndësishme në procesin e zbulimit dhe zhvillimit të futbollistëve të rinj. U diskutuan mënyrat për të rritur efektivitetin e këtij procesi dhe për të forcuar koordinimin mes strukturave teknike në të gjitha nivelet.

Po ashtu, në qendër të diskutimeve ishte edhe ecuria e programit Elite Youth Development, një nga projektet më të rëndësishme të FSHF-së për zhvillimin e futbollit të të rinjve.

Të pranishmit analizuan progresin e deritanishëm të akademisë dhe perspektivën e saj për vitet e ardhshme, me synimin për të përgatitur dhe prodhuar brezat e ardhshëm të talenteve që do të përfaqësojnë futbollin shqiptar në nivelet më të larta.

Presidenti Duka vlerësoi punën e trajnerëve dhe stafit teknik në të gjitha kategoritë e moshave, duke theksuar se zhvillimi i futbollistëve të rinj mbetet një nga prioritetet strategjike të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Ai kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat e përfshira në këtë proces, me qëllim rritjen e cilësisë së punës, përmirësimin e rezultateve sportive dhe krijimin e një baze sa më të fortë për të ardhmen e ekipeve kombëtare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments