Shkruar nga Gjergj KOLA
“Shqipëria ka nxjerrë shumë kampionë të mëdhenj në mundje, por kur flitet për majën e këtij sporti, emri i parë që të vjen ndër mend është ai i Elis Gurit.
Shkodrani është një nga emrat më të mëdhenj të këtij sporti dhe sot ndalemi te ai, sepse kjo ditë përkon me 43-vjetorin e lindjes së tij. Me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe të gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Elisi ka lindur në Shkodër më 6 korrik 1983 dhe që në moshë të vogël u angazhua me sportin e mundjes, kuptohet, i mbështetur nga i ati, “Mjeshtër i Madh” Eljaz Guri. Shpejt spikati për nivelin e tij të lartë, duke u bërë një nga mundësit më të mirë të Shqipërisë.
Guri filloi të marrë pjesë në garat e mëdha ndërkombëtare për të rinj që nga viti 2002. Në vitin 2003 mori pjesë në Kampionatin Botëror për të rritur, ku, për fat të keq, u rendit në vendin e 37-të.
Për herë të parë, shkodrani arriti të hynte në dhjetëshen më të mirë në vitin 2007, kur u rendit i shtati në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Baku. Ky rezultat i siguroi edhe kualifikimin për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Pekinit. Në prill të vitit 2008, Elis fitoi medaljen e tij të parë të rëndësishme, atë të bronztë në Kampionatin Evropian.
Në Lojërat Olimpike të Pekinit 2008, Elisi garoi në kategorinë 96 kg. Në turin e parë mundi në mënyrë sensacionale kampionin olimpik në fuqi, egjiptianin Karam Gaber. Në çerekfinale humbi ndaj finalistit të ardhshëm, gjermanit Mirko Englich, dhe në renditjen përfundimtare u klasifikua në vendin e tetë.
Ndër rezultatet e tjera të rëndësishme të Gurit mund të përmenden vendi i shtatë në Lojërat Mesdhetare “Almeria 2005” dhe medalja e argjendtë në turneun ndërkombëtar “Milone 2006”.
Pas përfundimit të Lojërave Olimpike të vitit 2008, Guri vendosi të transferohej në Bullgari për të pasur më shumë mundësi në zhvillimin e karrierës së tij sportive. Për shkak të ndryshimit të shtetësisë sportive, ai nuk mundi të merrte pjesë në garat ndërkombëtare për dy vjet.
Në vitin 2011 nisi zyrtarisht të garonte nën flamurin e Bullgarisë dhe menjëherë arriti suksese të mëdha. Fillimisht fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian dhe më pas realizoi arritjen më të madhe të karrierës së tij, duke u shpallur Kampion Bote pasi mposhti në finale suedezin Jimmy Lidberg.
Në vitin 2012, Guri mori pjesë në Lojërat e tij të dyta Olimpike, duke garuar sërish në kategorinë deri në 96 kg. Pas përfundimit të tyre, ai vendosi t’i japë fund karrierës së tij sportive.
Megjithatë, në vitin 2015 u rikthye sërish në tapetin e mundjes. Në shtator të atij viti mori pjesë në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Las Vegas. Pas një paraqitjeje shumë të mirë, arriti deri në gjysmëfinale, ku u mposht nga kampioni olimpik iranian Ghasem Rezaei. Në ndeshjen për medaljen e bronztë humbi ndaj rusit Islam Magomedov dhe e mbylli kampionatin në vendin e pestë.
Ndërkohë, prej disa vitesh, Elis Guri është pjesë e stafit të ekipit kombëtar të Bullgarisë, ku ushtron detyrën e trajnerit dhe po arrin rezultate shumë të mira edhe në këtë rol.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


