Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Klinti Qato vazhdon të jetë një nga futbollistët më të spikatur të Vllaznisë, teksa në këtë fillim sezoni gjeti sërish rrugën e rrjetës duke realizuar golin e barazimit ndaj Malishevës dhe duke i dhënë skuadrës një shtysë të rëndësishme në një moment delikat të ndeshjes. Mesfushori kuqeblu po tregon vazhdimësi të admirueshme në paraqitjet e tij, duke qenë një element kyç si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në ndërtimin e aksioneve sulmuese.
Me paraqitjen e fundit, Qato konfirmoi se ka hyrë në sezonin e ri në formën më të mirë sportive, ndërsa besimi i stafit teknik dhe trajnerit Edi Martini ndaj tij po shpërblehet me performanca bindëse dhe kontribut konkret në rezultatet e ekipit. Goli i realizuar për të barazuar shifrat ndaj Malishevës është një tjetër tregues i peshës që ai ka fituar në lojën e Vllaznisë, duke u shndërruar në një nga futbollistët më të rëndësishëm të mesfushës.
Edhe pse njihet kryesisht për punën e madhe në mesfushë dhe balancën që i jep skuadrës, Qato po arrin të kontribuojë gjithnjë e më shumë edhe në aspektin ofensiv, duke qenë vendimtar në momentet kyçe të ndeshjeve. Kjo formë e shkëlqyer është një sinjal shumë pozitiv për Vllazninë, e cila synon të kualifikohet në raundin tjetër të kompeticionit të UEFA Conference League.
Nëse mesfushori kuqeblu vazhdon me të njëjtin ritëm, ai pritet të mbetet një nga armët më të forta të skuadrës gjatë gjithë sezonit, ndërsa tifozët shkodranë kanë arsye të besojnë se Qato do të jetë një nga protagonistët kryesorë në objektivat e Vllaznisë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


