Monday, July 13, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREGjithçka e kryer, sulmuesi shkodran zyrtarizon sot rikthimin tek gjigandët gjermanë

Gjithçka e kryer, sulmuesi shkodran zyrtarizon sot rikthimin tek gjigandët gjermanë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Lëvizja e Brajan Grudës drejt Bundesligës tashmë është vetëm çështje zyrtarizimi. Pasi lajmi ka qarkulluar prej disa ditësh në mediat sportive, “Shkodra Sport” mëson se sulmuesi me origjinë nga Shkodra do të rikthehet sot në Gjermani për të firmosur përfundimisht kontratën e tij me Leipzig. Gjithçka është mbyllur mes dy klubeve dhe mbetet vetëm hedhja e firmës për ta bërë zyrtare transferimin e një prej talenteve më të spikatura shqiptare në futbollin europian.

Gruda e kaloi pjesën e dytë të sezonit 2025-2026 në formë huazimi te Leipzig nga Brighton, duke bindur drejtuesit e klubit gjerman me paraqitjet e tij. Performancat pozitive kanë bërë që Leipzig të vendosë ta blejë përfundimisht kartonin e lojtarit, duke i besuar një rol të rëndësishëm në projektin e sezonit të ri.

Për 22-vjeçarin ky është një rikthim në kampionatin ku u formua si futbollist. Pikërisht te Mainz ai u evidentua si një nga talentet më premtues të futbollit gjerman, para se paraqitjet e tij të tërhiqnin vëmendjen e Brighton, që investoi për ta transferuar në Premier League. Tashmë, pas eksperiencës në Angli, Gruda rikthehet në Bundesliga për të vazhduar rritjen e tij në një nga klubet më ambicioze të Gjermanisë.

Një tjetër motiv i madh për sulmuesin me origjinë nga Shkodra është edhe pjesëmarrja në UEFA Champions League. Me fanellën e Leipzig, Gruda do të ketë mundësinë të debutojë në elitën e futbollit europian gjatë sezonit 2026-2027, një hap i rëndësishëm në karrierën e tij dhe një mundësi ideale për të treguar vlerat në skenën më prestigjioze të futbollit të klubeve.

Zyrtarizimi pritet të vijë gjatë ditës së sotme, duke i dhënë fund pritjes dhe duke konfirmuar një transferim që konsiderohet si një tjetër hap i madh në karrierën e Brajan Grudës. Për futbollistin me rrënjë shkodrane, Bundesliga do të jetë sërish shtëpia e tij, këtë herë me objektiva edhe më të mëdha dhe me synimin për t’u shndërruar në një nga protagonistët e Leipzig në sezonet e ardhshme.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments