Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Eliminimi nga Malisheva ka lënë pas shumë pikëpyetje, ndërsa shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me rezultatin, por me nivelin e kontingjentit aktual të Vllaznisë. Humbja e rëndë 5-0 në Kosovë tregoi se problemet e skuadrës shkojnë përtej mungesave të disa futbollistëve, pasi edhe me rikthimin e tyre është e vështirë të besohet se ekipi do të kishte bërë diferencën e nevojshme.
Eliminimi i turpshëm ka nxjerrë në pah nevojën urgjente për ndërhyrje në merkato, me sezonin e ri që nis pas pak më shumë se një muaji. Nëse analizohet formacioni që zbriti në fushë ndaj Malishevës, vetëm dy ose tre futbollistë duken kandidatë realë për të qenë titullarë të padiskutueshëm në edicionin e ri. Për këtë arsye, drejtuesit kuqeblu duhet të reagojnë menjëherë, pasi merkato e verës është momenti ideal për të korrigjuar mangësitë.
Pritja deri në janar mund ta komplikojë edhe më shumë situatën, pasi gjetja e lojtarëve cilësorë në mesin e sezonit është gjithmonë më e vështirë. Vllaznia ka nevojë për përforcime në të gjitha repartet. Prioritet mbetet afrimi i një portieri cilësor, ndërsa në qendër të mbrojtjes kërkohen të paktën dy titullarë të nivelit të lartë, duke lënë Pusin dhe Çelikoviç si alternativa. Një ndryshim i skemës në 4-3-3 do t’i përshtatej më mirë organikës, duke rikthyer Mustën dhe Gurishtën në rolet natyrale si mbrojtës krahu dhe duke i dhënë skuadrës më shumë ekuilibër.
Edhe mesfusha kërkon ndërhyrje të rëndësishme, me nevojën për një mesfushor shkatërrues dhe një organizator qendre, pasi alternativat aktuale nuk kanë bindur plotësisht. Në repartin ofensiv, Kobiljar shihet si zgjidhja për rolin e numrit 10, ndërsa Murataj mund të mbetet alternativë. Megjithatë, emergjenca më e madhe mbetet sulmi, ku Vllaznia ka nevojë për një qendërsulmues titullar dhe me garanci. Forma aktuale e Bekim Balajt nuk jep të njëjtën siguri si në sezonet e kaluara, ndërsa afrimi i një lojtari krahu do ta kompletonte organikën.
Me kontingjentin aktual, Vllaznia rrezikon ta ketë shumë të vështirë të rivalizojë për objektiva madhorë. Pa ndërhyrje cilësore dhe të shpejta në merkato, skuadra shkodrane duket se do të luftojë më shumë për mesin e tabelës, në zonën nga vendi i pestë deri te vendi i tetë, sesa për titullin apo pjesëmarrjen në kupat e Europës.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


