Shkruar Nga Maringlen ZHIVANI
Ndeshja miqësore ndaj Deçiçit nuk ka shërbyer vetëm për përgatitjet e ekipit të parë, por edhe për t’u dhënë hapësirë disa prej talenteve më premtues të akademisë kuqeblu. Mes tyre spikati sulmuesi i krahut Sokol Uldedaj, i cili debutoi si titullar.
Futbollisti 17-vjeçar, që luan kryesisht në krahun e djathtë të sulmit, vlerësohet për shpejtësinë, fizikun dhe aftësinë për të krijuar aksione të rrezikshme nga krahu. Uldedaj është pjesë e ekipeve zinxhir të Vllaznisë dhe ka qenë gjithashtu pjesë e kombëtares shqiptare U17.
Minuta në këtë miqësore mori edhe Amer Kthupi, mesfushori ofensiv, vetëm 18-vjeç. I aktivizuar në rolin e numrit 10, ai konsiderohet një nga elementët interesantë të brezit të ri, me cilësi në organizimin e lojës dhe në mbështetjen e repartit ofensiv. Përveç tij kanë luajtur disa minuta në pjesën e dytë edhe dy lojtarë të tjerë të rinj, Simon Uldedaj dhe Erman Pishtari.
Aktivizimi i katër futbollistëve të rinj në këtë miqësore tregon se stafi teknik i Vllaznisë, me në krye trajnerin Edi Martini po ndjek me vëmendje elementët e Akademisë, duke u dhënë atyre mundësinë të tregojnë vlerat e tyre edhe pranë ekipit të parë në prag të sezonit të ri.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


