Friday, July 17, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e 'Mjeshtrit të Madh' të çiklizmit shkodran e shqiptar,...

ALMANAK/ Sot ditëlindja e ‘Mjeshtrit të Madh’ të çiklizmit shkodran e shqiptar, Brahim Syka

Shkruar nga Gjergj KOLA

Nëse flasim për çiklizmin shkodran dhe atë shqiptar, padyshim që një prej emrave ku duhet të ndalemi është Brahim Syka. Çiklisti i shquar i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare ka lënë gjurmë me karrierën e tij sportive, duke qenë një nga figurat simbol të atyre viteve.

Sot ndalemi pikërisht te Brahim Syka, sepse “Tushi”, siç e thërrasin të gjithë në Shkodër, feston ditëlindjen. Ai mbush 63 vjeç dhe, me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe të gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ai ka lindur në Shkodër më 17 korrik 1963 dhe sportin e çiklizmit e nisi në moshën 15-vjeçare, pra në vitin 1978. Një vit më vonë, si pjesë e ekipit të të rinjve të Vllaznisë, u shpall kampion kombëtar i kësaj grupmoshe, sukses të cilin e përsëriti edhe në vitin 1980.

Ecuria shumë e mirë me ekipin e të rinjve bëri që ai të ftohej në ekipin e të rriturve, me të cilin garoi nga viti 1981 deri në vitin 1993, kur vendosi t’i japë fund karrierës sportive.

Për rreth një dekadë ai u dallua si një nga çiklistët më të mirë të Shqipërisë dhe, së bashku me Agim dhe Sytki Tafilin, formuan një treshe që dominoi çiklizmin shqiptar.

Së bashku, ata i dhuruan Vllaznisë disa tituj kampionë, ndërsa Brahim Syka arriti të renditej disa herë në vendin e dytë në Rrethet Çiklistike të Shqipërisë.

Po ashtu, me Vllazninë ai fitoi dy medalje të arta në Spartakiadat Kombëtare të viteve 1984 dhe 1989.

Për shumë vite me radhë ishte pjesë e kombëtares shqiptare, duke marrë pjesë në shumë gara ndërkombëtare dhe duke zhvilluar paraqitje shumë të mira.

Për fat të keq, nuk arriti të fitonte asnjë Rreth Çiklistik të Shqipërisë si individ, por gjithmonë u dallua për nivelin e lartë që shfaqi në garat ku mori pjesë.

Për të gjitha këto arritje, ai është nderuar me titullin “Mjeshtër Sporti”, ndërsa Këshilli Bashkiak i Shkodrës i ka akorduar titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Gjithashtu, është shpallur “Çiklisti i Shekullit” i Sportklub Vllaznia me rastin e 100-vjetorit të këtij klubi.

Pas lënies së sportit, për disa vite me radhë ka qenë anëtar i Kryesisë së Federatës Shqiptare të Çiklizmit.

Ndërkohë, më 4 maj 2021, Presidenti i Republikës i akordoi Brahim Sykës titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, një vlerësim që e ka merituar plotësisht për kontributin e jashtëzakonshëm që i ka dhënë çiklizmit shqiptar.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments