Shkruar nga Endri ÇINARI
Pas ndarjes me Vllazninë, e ardhmja e Esin Hakajt pritet të marrë zyrtarisht drejtim shumë shpejt. Mbrojtësi shkodran është tashmë një lojtar i lirë në merkato dhe emri i tij vazhdon të jetë ndër më të kërkuarit, falë eksperiencës dhe paraqitjeve të mira të viteve të fundit. Interesi për 29-vjeçarin nuk ka munguar, me disa klube nga Kosova dhe Shqipëria që kanë shfaqur dëshirën për ta pasur në radhët e tyre.
Megjithatë, sipas informacioneve që mëson “Shkodra Sport”, së fundmi në adresë të futbollistit ka mbërritur një ofertë konkrete nga Ballkani. Klubi i njohur kosovar, që ka dominuar futbollin e Kosovës në vitet e fundit dhe është bërë një emër i rëndësishëm edhe në arenën europiane, e sheh Hakajn si një përforcim me vlera për repartin e majtë të mbrojtjes.
Drejtuesit e Ballkanit vlerësojnë eksperiencën, cilësitë mbrojtëse dhe aftësinë e shkodranit për të kontribuar edhe në fazën sulmuese. Pikërisht këto karakteristika kanë bërë që emri i tij të jetë në krye të listës së alternativave për këtë merkato verore, ndërsa klubi kosovar duket i vendosur ta bindë futbollistin të transferohet në Suharekë.
Pavarësisht se oferta tashmë është konkrete, ende nuk ka një vendim përfundimtar nga ana e Hakajt. Mbrojtësi po shqyrton me kujdes të gjitha alternativat që ka në tavolinë, përpara se të hedhin firmën me klubin e ri. Në ditët në vijim pritet të ketë zhvillime të rëndësishme, ndërsa Ballkani mbetet aktualisht pista më e nxehtë për të ardhmen e ish-futbollistit të Vllaznisë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


