Friday, July 17, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREHumbja me Malishevën, Vllaznia barazon një rekord negativ

Humbja me Malishevën, Vllaznia barazon një rekord negativ

Shkruar nga Endri ÇINARI

Paraqitja katastrofike e Vllaznisë në humbjen 5-0 ndaj Malishevës nuk solli vetëm eliminimin nga Conference League, por hyri edhe në historinë negative të klubit në arenën europiane. Kuqeblutë përjetuan një nga mbrëmjet më të errëta të tyre jashtë Shqipërisë, duke u shpartalluar në Kosovë dhe duke hedhur poshtë fitoren 2-1 të ndeshjes së parë në “Loro Boriçi”. Një disfatë që tashmë renditet mes rezultateve më të rënda të regjistruara ndonjëherë nga Vllaznia në kompeticionet kontinentale.

Në fakt, humbja 5-0 ndaj Malishevës barazon një prej disfatave më të thella në historinë europiane të kuqebluve. Më parë, një rezultat i tillë ishte regjistruar në edicionin 2008-09 të Kupës UEFA/Europa League, kur Vllaznia u mposht me të njëjtat shifra nga Napoli në transfertë. Një vit më vonë, në sezonin 2009-10, historia u përsërit edhe ndaj Rapid Vjenës, me austriakët që triumfuan gjithashtu 5-0.

Megjithatë, rekordi absolut negativ vazhdon të mbetet humbja 6-0 ndaj Trabzonsporit në vitin 2007, në kuadër të Kupës Intertoto. Ajo sfidë konsiderohej prej vitesh si nata më e errët europiane e Vllaznisë, por paraqitja ndaj Malishevës i është afruar shumë atij dështimi, duke rikthyer kujtime që tifozët shkodranë do të donin t’i kishin lënë pas.

Diferenca, megjithatë, është se humbjet ndaj Trabzonsporit, Napolit dhe Rapid Vjenës erdhën përballë skuadrave me histori, traditë dhe potencial shumë më të madh në futbollin europian. Ndërsa disfata ndaj Malishevës ka një peshë tjetër, pasi erdhi ndaj një kundërshtari që ishte në debutimin e tij në kupat e Europës dhe që në letër konsiderohej i kalueshëm për Vllazninë. Pikërisht kjo e bën eliminimin edhe më të dhimbshëm për ambientin kuqeblu.

Kështu, humbja 5-0 ndaj Malishevës hyn zyrtarisht në listën e rezultateve më negative të Vllaznisë në Europë dhe njëkohësisht shënon një rekord të hidhur për klubin shkodran. Një mbrëmje që do të mbetet gjatë në memorien e tifozëve, por edhe një sinjal i fortë se skuadra ka nevojë për reflektim të thellë dhe ndryshime të rëndësishme, nëse dëshiron të rikthehet denjësisht në skenën europiane.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments