Shkruar nga Namik MEHMETI
“Mirë se erdhe, Mirashi!” Kështu nis komunikata zyrtare e klubit Vibonese, skuadrës nga qyteti i Vibo Valentias.
Pas një viti të kaluar te Igea Virtus, Gerard Mirashi tregoi cilësitë e një mbrojtësi modern, duke ndërthurur forcën fizike, shpejtësinë dhe vendosmërinë në duelet individuale, si dhe dominimin në lojën në ajër falë edhe shtatlartësisë së tij mbi 2 metra.
Ajo që bindi stafin teknik të Viboneses ishte edhe siguria që ai shfaqi te Igea Virtus, duke realizuar me sukses dhe personalitet si fazën mbrojtëse, ashtu edhe mbështetjen e vijës së sulmit.
Pas përfundimit të rrugëtimit në Akademinë e Beneventos, hapet një cikël i ri për 19-vjeçarin Gerard Mirashi, i cili beson se do të arrijë të tregojë të gjitha cilësitë e tij teknike dhe fizike te kjo skuadër.
Edhe pse Vibonese është një ekip i ri për të, Mirashi do të gjejë aty një njohje të vjetër. Në pankinë ndodhet trajneri Salvatore Marra, ai që e afirmoi te Igea Virtus dhe që njeh në detaje të gjitha vlerat teknike e fizike të mbrojtësit shqiptaro-italian. Pikërisht kjo pritet të ndikojë pozitivisht në integrimin e tij në grup dhe në projektin sportiv të Viboneses, duke i dhënë edhe më shumë besim e kurajë.
Me fanellën kuqezi-blu të Viboneses, Gerard Mirashi ëndërron ta shndërrojë në sukses këtë aventurë të re. Në kampionatin e Serisë D, Vibonese do të ketë përballë kundërshtarë seriozë si Reggina, Trapani, Siracusa e të tjerë. Klubi Vibonese, i rithemeluar në vitin 1960, luan ndeshjet e tij në stadiumin “Luigi Razza”, me një kapacitet prej rreth 6 000 spektatorësh.
Me fanellën e këtij klubi kanë luajtur ndër vite futbollistë që më pas janë aktivizuar në Serinë A, Serinë B dhe në kompeticionet europiane, si A. Sowe, A. Nesti, R. Pidone, S. Dianda etj.
“Shkodra Sport” i uron Gerard Mirashit një sezon të suksesshëm dhe sa më shumë arritje me fanellën e Viboneses.


