Nga Endri Çinari
Belajdi Pusi ka dhënë sinjalet e para se edhe këtë sezon do të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Fakel Voronezh. Sulmuesi shkodran u shfaq protagonist në javën e dytë të Superligës ruse, në sfidën ndaj Krasnodarit, edhe pse ekipi i tij u mposht me rezultatin 3-2. Pavarësisht humbjes, paraqitja e 28-vjeçarit ishte një nga pikat më pozitive për miqtë.
Ish-sulmuesi i Vllaznisë nuk e nisi takimin si titullar, me trajnerin që vendosi ta aktivizonte vetëm në pjesën e dytë, në një moment kur Fakel ishte në disavantazh të thellë 3-0. Megjithatë, hyrja e Pusit ndryshoi ndjeshëm ritmin e lojës së skuadrës së tij. Ai solli më shumë lëvizshmëri në repartin ofensiv, duke krijuar hapësira dhe duke vënë në vështirësi mbrojtjen e kampionëve të Rusisë.
Kontributi i shkodranit u konkretizua veçanërisht në golin e dytë të Fakel. Pusi dhuroi një asist të shkëlqyer për Sutormin, i cili e pati të lehtë ta dërgonte topin në rrjetë. Një pasim me klas dhe vizion loje, që tregoi edhe njëherë cilësitë teknike të futbollistit shqiptar dhe ndikimin që ai ka në fazën sulmuese të ekipit.
Edhe pse minuta në dispozicion ishin të kufizuara, 28-vjeçari arriti të linte gjurmë në fushë dhe të ndryshonte fytyrën e Fakel në pjesën e dytë. Performanca e tij nuk ka kaluar pa u vënë re, ndërsa i dërgon një mesazh të qartë stafit teknik se vendi i tij është në formacionin titullar. Pas sezonit të kaluar, ku ishte një nga pikat më të forta të skuadrës, Pusi duket i vendosur të mbajë të njëjtin nivel edhe në këtë edicion të Superligës ruse.


