Monday, August 3, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot 65 vjetori i lindjes së Alfred Bardelit, 'Mjeshtrit të Madh'...

ALMANAK/ Sot 65 vjetori i lindjes së Alfred Bardelit, ‘Mjeshtrit të Madh’ të mundjes shqiptare

Shkruar nga Gjergj KOLA

Historia e mundjes në Shkodër është bërë e lavdishme, sidomos në vitet ’80, falë sukseseve të jashtëzakonshme që arritën ekipi i Vllaznisë dhe sportistët e tij. Pjesë e këtyre sukseseve padyshim që ka qenë edhe një prej emrave më të shquar të atyre viteve, Alfred Bardeli.

Ky i fundit sot feston 65-vjetorin e lindjes dhe, me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe të gjithë lexuesve të saj, i urojmë këtij kampioni edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ai ka lindur më 3 gusht 1961 në Shkodër dhe ka qenë pjesë e ekipit të mundjes së Vllaznisë nga viti 1979 deri në janar të vitit 1991. Me ekipin e të rinjve fitoi katër trofe: dy tituj kampionë dhe dy Kupa të Republikës, pikërisht në vitet 1979 dhe 1980. Po në vitin 1980 kaloi me ekipin e të rriturve, nën drejtimin e trajnerit Eljaz Ahmeti.

Me ekipin e Vllaznisë ka fituar shtatë tituj kampionë ekiporë, në vitet 1982, 1983, 1984, 1985, 1987, 1988 dhe 1989. Në gjashtë prej këtyre sukseseve ai ishte protagonist kryesor, duke i siguruar ekipit vendin e parë në peshën ku garonte.

Në mars të vitit 1983 u shpall fitues i Kupës së Republikës dhe u grumbullua me ekipin kombëtar për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian që do të zhvillohej në Turqi. Megjithatë, ndonëse u përgatit për rreth një muaj e gjysmë, kombëtarja shqiptare u tërhoq nga pjesëmarrja për arsye shtetërore.

Në karrierën e tij sportive, Alfred Bardeli ka arritur këto suksese:

  • Fitues i Kupës së Republikës si individ në vitet 1983, 1984, 1985 dhe 1991.
  • Fitues i gjashtë Kupave të Republikës me ekipin e Vllaznisë në vitet 1983, 1984, 1985, 1986, 1988 dhe 1989.
  • Fitues i dy medaljeve të arta në Spartakiadat e Pestë dhe të Gjashtë Kombëtare, në vitet 1984 dhe 1989.
  • Fitues i Spartakiadës së Pestë Kombëtare me ekipin e Vllaznisë në vitin 1984.
  • Tre herë kampion kombëtar individual, në vitet 1984, 1989 dhe 1990, nën drejtimin e trajnerëve Eljaz Ahmeti, Isa Vejuka dhe Gjon Leka.
  • Në total ka fituar rreth 30 trofe individualë dhe ekiporë, çka e bën Alfred Bardelin një nga figurat më të rëndësishme të mundjes shqiptare.

Për kontributin dhe sukseset e tij është nderuar me disa tituj të rëndësishëm:

  • Në vitin 1989, Federata Shqiptare e Mundjes i akordoi titullin “Mjeshtër Sporti”.
  • Në vitin 2018, Bashkia Shkodër e nderoi me titullin “Mirënjohja e Qytetit”.
  • Në vitin 2019 u shpall “Mundësi i Shekullit” me rastin e 100-vjetorit të SK Vllaznia.
  • Po në vitin 2019, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i akordoi titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Një karrierë kampioni, e nisur me titullin kampion me ekipin e të rinjve në vitin 1979 dhe e mbyllur me titullin kampion me të rriturit në vitin 1990, si dhe me fitimin e Kupës së Republikës në janar të vitit 1991. Alfred Bardeli mbetet një nga emrat më të mëdhenj të mundjes shkodrane dhe shqiptare, një sportist që me rezultatet dhe përkushtimin e tij ka shkruar një kapitull të rëndësishëm në historinë e këtij sporti.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments