Ish-mesfushori Gilman Lika, tashmë pjesë në fushën e trajningut, është prezantuar te ekipi i Al-Jazira Club në Emiratet e Bashkuara Arabe si trajner. “Sezon i ri, skuadër e ri, sfidë e re.
Le të shkojmë Al-Jazira”, postimi i Likës në rrjetet sociale, teksa i adresohet këtij rrugëtimi të ri profesional. Klubi i Al-Jazera, sipas “Transfermarkt” vlen 43 milionë euro, ndërsa shpenzimet në merkato nuk mungojnë.
Si futbollist, ish-sulmuesi Gilman Lika ka lënë “gjurmë” të pashlyeshme te Vllaznia dhe Tirana. Me kuqeblutë e Shkodrës, ai fitoi Kupën e Shqipërisë në sezonin 2007-2008, ndërsa me bardbelutë, numëron 4 trofe, 2 Kupa dhe 2 kampionate.
Pas mbylljes së karrierës si futbollist, nisi punë si trajner dhe ekipi i parë që trajnoi ishte ai Basania U15, me të cilin arriti menjëherë sukses duke e ngjitur në Superiore. Më pas kaloi tek Akademia Vllaznia ku u shpall kampion me ekipin U17.
Prej pak vitesh ndërkohë është spostuar bashkë me familjen e tij në Emirat e Bashkuara Arabe ku po ushtron sërish detyrën e trajnerit, ndërkohë që së fundi është bashkuar me ekipin Al Jazira.


