Vllaznia po i afrohet gjithnjë e më shumë startit të sezonit të ri dhe përpara sfidave zyrtare kuqeblutë do të kenë edhe një tjetër test në Shkodër. Ekipi i drejtuar nga Edi Martini do të përballet me Vorën, në një miqësore që pritet të jetë ndër provat më të rëndësishme të kësaj faze përgatitore.
Vora, e cila në sezonin e ri do të jetë pjesë e Superiores, përfaqëson një kundërshtar më të fortë në raport me disa prej ekipeve me të cilat Vllaznia ka luajtur gjatë kësaj periudhe. Për këtë arsye, sfida pritet të shërbejë si një matës i mirë për kuqeblutë, sidomos tashmë që skuadra ka hyrë në fazën e fundit të përgatitjeve.
Pas mini-fazës së zhvilluar në Pukë dhe rikthimit në Shkodër, ngarkesat fizike pritet të ulen gradualisht. Fokusi tashmë është te rikuperimi i futbollistëve, por edhe te puna taktike, me Martinin që kërkon të përgatisë ekipin në detajet e fundit përpara nisjes së kampionatit. Miqësorja me Vorën mund të jetë gjithashtu një mundësi e mirë për trajnerin kuqeblu për të afruar edhe më shumë formacionin që ka në mendje për startin e sezonit.
Në këtë pikë të përgatitjeve, Martini duket se ka krijuar tashmë një ide të qartë për titullarët, ndërsa sfida e radhës mund të japë një tjetër sinjal për formacionin që do të zbresë në fushë në ndeshjet zyrtare. Në të njëjtën kohë, kjo miqësore do t’i shërbejë stafit teknik për të vlerësuar edhe gjendjen individuale të futbollistëve, sidomos të atyre që janë afruar gjatë merkatos së verës.
Me konkurrencën që është shtuar në disa pozicione, minutat në këtë takim mund të jenë vendimtare për të përcaktuar hierarkitë përfundimtare. Dueli Vllaznia–Vora do të luhet ditën e mërkurë në stadiumin “Loro Boriçi”, në atë që pritet të jetë një prej testeve të fundit të kuqebluve përpara nisjes së edicionit të ri. Një provë që vjen në momentin e duhur për Martinin, për të parë se sa gati është skuadra e tij për sfidat që e presin.


