Wednesday, August 12, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREAfrime të shumta në merkato, por tifozët e Vllaznisë kërkojnë 'emrin e...

Afrime të shumta në merkato, por tifozët e Vllaznisë kërkojnë ’emrin e madh’

Shkruar nga Endri ÇINARI

Merkatoja e Vllaznisë vijon të mbetet e hapur, ndërsa drejtuesit kuqeblu duket se po punojnë deri në ditët e fundit për të kompletuar skuadrën. Afrimi më i fundit është ai i Mamadou Tounkara, sulmuesit që ka qenë prej kohësh në listën e dëshirave të klubit dhe që tashmë pritet të jetë një tjetër alternativë për repartin ofensiv. Një emër me një CV të pasur, por që në Shkodër nuk ka sjellë entuziasmin e pritshëm.

Pritshmëritë e tifozëve kuqeblu ishin për një sulmues të konfirmuar, në një moment të mirë të karrierës dhe mbi të gjitha në një formë që të mund të bënte menjëherë diferencën. Tounkara, të paktën në letër, nuk duket se përmbush të gjitha këto pritshmëri. Sulmuesi senegalez ka pasur një karrierë me emra dhe eksperienca të rëndësishme, por asnjëherë nuk ka arritur të justifikojë plotësisht pritshmëritë e krijuara rreth tij.

Edhe vitet e fundit nuk kanë qenë periudha më e mirë e karrierës së tij. Forma sportive dhe minutazhi nuk kanë qenë në nivelin që do të kërkohej nga një futbollist që pritet të jetë një pikë referimi për repartin ofensiv të Vllaznisë. Natyrisht, në futboll një transferim nuk mund të gjykohet vetëm nga e kaluara dhe një lojtar mund të rilindë në një ambient të ri, por pikërisht këtu qëndron edhe pikëpyetja që shoqëron afrimin e tij në Shkodër.

Në fakt, ajo që bie më shumë në sy në merkaton e kësaj vere është mungesa e një emri që mund të cilësohet pa diskutim si “big”. Vllaznia ka afruar disa futbollistë dhe ka ndërtuar një grup që në letër duket më i kompletuar dhe më i balancuar, por deri tani mungon ajo goditje që do të ngrinte pritshmëritë e tifozëve dhe do t’i jepte merkatos një tjetër dimension.

Reparti i sulmit mbetet pikërisht zona ku pritshmëritë janë më të mëdha. Kuqeblutë kanë nevojë për një futbollist që të mos jetë thjesht një alternativë më shumë, por një lojtar që të sjellë gola, personalitet dhe garanci në ndeshjet e kampionatit. Tounkara mund të ketë mundësinë për të ndryshuar perceptimin dhe për të treguar se eksperienca e tij mund të rikthehet në vlerë konkrete në fushë, por në këtë moment dyshimet janë të pranishme.

Për këtë arsye, merkatoja e Vllaznisë duket se do të mbahet e hapur deri në fund. Tifozët kuqeblu presin ende një surprizë, një emër që të jetë realisht i konfirmuar dhe që të justifikojë ambiciet e një skuadre që këtë sezon kërkon të jetë konkurruese në elitën e futbollit shqiptar. Nëse ajo “goditje” do të vijë në ditët e fundit apo nëse Tounkara do të jetë afrimi i fundit i madh, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë: pritja në Shkodër ende nuk ka përfunduar.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments