Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Aris Ara po jep sinjale pozitive gjatë kësaj faze përgatitore te Vllaznia, duke treguar se mund të jetë një alternativë e rëndësishme për repartin ofensiv të kuqebluve. Talenti 20-vjeçar ka marrë minuta në ndeshjet miqësore të kësaj vere dhe në sfidën e fundit ndaj Tërbunit në Pukë, ai ishte protagonist në golin e shënuar nga Gerald Kubazi.
Ara dha asistin për sulmuesin 19-vjeçar, i cili zhbllokoi rezultatin dhe konfirmoi formën e mirë që po kalon në prag të nisjes së sezonit. Ky bashkëpunim mes dy të rinjve të Vllaznisë është një tjetër sinjal pozitiv për stafin teknik dhe trajnerin Edi Martini.
Aris Ara dallohet për shpejtësinë, teknikën dhe aftësinë për të luajtur në krahët e sulmit, teksa konkurrenca në këtë repart pritet të jetë e fortë këtë sezon.
Në skuadrën e Edi Martinit, talenti shkodran po kërkon të fitojë më shumë hapësira dhe paraqitjet në miqësore janë një mundësi e mirë për të bindur teknikun. Asisti ndaj Tërbunit është një tjetër tregues se Ara mund të ketë një rol më të rëndësishëm te Vllaznia në sezonin e ri. Me Kubazin në formë dhe Arën që krijon e asiston, kuqeblutë po marrin sinjale të mira nga brezi i ri i futbollistëve.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


