Shkruar nga Endri ÇINARI
Një tjetër talent i futbollit shkodran duket se po hedh hapa të rëndësishëm drejt një karriere jashtë Shqipërisë. Bëhet fjalë për Heldi Koplikun, i datëlindjes 10 mars 2010, i cili së fundmi ka zhvilluar një javë prove pranë një prej akademive më të njohura të futbollit ballkanik, Dinamo Zagreb. Për 16-vjeçarin kjo ka qenë një mundësi e rëndësishme për të treguar vlerat e tij në një ambient me standarde të larta.
Kopliku, që aktivizohet si sulmues i krahut të djathtë, mësohet se ka lënë përshtypje shumë pozitive gjatë ditëve të qëndrimit në Kroaci. Burime të afërta me futbollistin bëjnë me dije se paraqitjet e tij kanë bindur stafin e Dinamos dhe tashmë ekziston një mundësi e madhe që aventura e tij në Zagreb të mos mbetet vetëm në kuadër të një prove, por të shndërrohet në një transferim konkret te “blutë”.
Ky do të ishte padyshim një hap gjigand për karrierën e futbollistit të ri shkodran, i cili prej disa sezonesh ka spikatur në radhët e akademisë së Vllaznisë. Aktualisht Kopliku është pjesë e ekipit U-17 të kuqebluve, ndërsa puna dhe paraqitjet e tij kanë bërë që të jetë në vëmendjen e strukturave të ekipeve kombëtare të moshave, ku është grumbulluar në mënyrë sistematike.
Kalimi te Dinamo Zagreb do t’i hapte 16-vjeçarit një tjetër horizont zhvillimi, duke e vendosur në një prej akademive që tradicionalisht ka prodhuar dhe promovuar futbollistë të nivelit të lartë. Për Koplikun do të ishte një sfidë e re, por njëkohësisht edhe një mundësi për të matur veten në një tjetër nivel dhe për të vijuar rritjen e tij si futbollist.
Nëse gjithçka do të finalizohej, historia e Heldi Koplikut do të ishte një tjetër dëshmi e potencialit që vazhdon të prodhojë futbolli shkodran. Shkodra mbetet një qytet i mbushur me talente dhe fakti që një tjetër 16-vjeçar po tërheq vëmendjen e një gjigandi si Dinamo Zagreb është një tregues domethënës për cilësinë dhe traditën e futbollit që vazhdon të kultivohet në qytet.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


