FAQJA E PARE KRYESORENGA TONIN GJURAJ – Po, kishte dhunë në Elbasan, dhuna e arbitrimit...

NGA TONIN GJURAJ – Po, kishte dhunë në Elbasan, dhuna e arbitrimit dhe VAR-it ndaj Shkodrës…

Mendoj se, para se të dilet me një prononcim zyrtar, FSHF-ja lipset të bëjë një analizë sa më realiste, objektive dhe të paanshme lidhur me ngjarjen futbollistike antisportive në Elbasan. Qëndrimi i FSHF-së, sipas meje, merret me pasojën, jo me shkakun.

Po, kishte dhunë në Elbasan:

Dhunë e arbitrimit dhe VAR-it ndaj Shkodrës, tifozëve të saj, qytetarisë shkodrane, KF Vllaznia, si djepi i futbollit shqiptar, trajnerit dhe ekipit të tij, si dhe ndaj presidentit Xhaferi e atyre që e shoqëronin.

Dhuna nuk është vetëm fizike.

Arbitra të paaftë, tendenciozë apo të frikësuar, shërbyen si katalizatorë të nxitjes së dhunës ndaj Shkodrës dhe ekipit shkodran. Ata ushqyen një mjedis thellësisht antisportiv, të frikshëm, banal, ku sharjet en bloc dhe presioni ndaj lojtarëve dhe stolit shkodran vijuan për më shumë se dy orë.

Po, kishte dhunë:

Dhunë verbale e imponuar nga formati i kompozuar në tribunën VIP të Elbasanit (jo vetëm) dhe tribunën kryesore, e cila kjo e fundit duhej të ishte e boshatisur.

Po, kishte dhunë:

“Dhunë” e policisë vendore dhe kompanisë së sigurisë, me mosveprimet e tyre në kohë: indiferencën, heshtjen dhe mosndërhyrjen e qëllimshme ndaj sjelljeve antisportive në dëm të lojtarëve në fushë e jashtë saj.

Përqendrimi i prononcimeve të FSHF-së dhe KF Elbasanit, si dhe i ndonjë analisti sportiv të porositur, për gjoja “dhunën” e presidentit Xhaferi ndaj arbitrit të katërt, është mirëfilli tendencioz.

Respekti ndaj futbollit fillon me respektin e arbitrave dhe VAR-it ndaj lojës së drejtë, me gjykim të drejtë e të paanshëm.

Po ashtu, respekti për futbollin fillon me riformatimin e përbërjes së tribunave VIP nga FSHF-ja dhe bashkitë, sipas rastit, kur ato mbështesin klubet.

Si mbështetës i hershëm i Vllaznisë dhe i pranishëm në shumë prej ndeshjeve të saj në Shkodër e rrethe, falë kortezisë së KF Vllaznia dhe presidentit Xhaferi, jam dëshmitar i seriozitetit të presidentit Xhaferi dhe qetësisë së tij në tribunë, dimensionit jokonfliktual, raporteve bashkëpunuese dhe mirëkuptuese të tij me presidentët e klubeve të tjera, me FSHF-në dhe aktorë të tjerë sportivë.

FSHF-ja, bashkitë respektive të Shkodrës dhe Elbasanit (dhe bashkitë e tjera), si dhe presidentët e këtyre dy klubeve (jo vetëm), duhet të shmangin qasjet represive e frymën e përplasjes mediatike dhe t’i rikthehen dialogut dhe mirëkuptimit, në mënyrë që këto dy klube me traditë të jashtëzakonshme në futboll të rikthejnë në shkallët e stadiumeve një mjedis normal sportiv e kompetitiv, ku të fitojë më i miri, me gjykim të drejtë e të paanshëm.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments